Gjithçka gati

Boksieri Floyd Mayweather prezanton sfidën e fundit të karrierës së tij që do të zhvillohet mbrëmjen e së shtunës. Kampioni amerikan i peshave super të mesme dhe rivali i tij i fundit Andre Berto do të ndeshen në “MGM Grand Garden Arena”, në një duel që Mayweather e ka prezantuar si të fundit në karrierën e tij të gjatë ku nuk numëron asnjë humbje.

“Asgjë nuk ka përfunduar sepse duhet të konsumoj edhe 36 minutat e fundit në ring. Berto është një kundërshtar i rrezikshëm dhe i fortë njëkohësisht dhe kjo është arsyeja pse unë zgjodha një sfidë të tillë. Asnjëherë nuk ka rëndësi se me kë ndeshemi sepse këdo që ke përballë do të të krijojë probleme. Detyra ime është që të dal në ring dhe të jap më të mirën”.

Gjithsesi, Mayweather e pranon se ka një rival që e konsideron më të fortë se të tjerët.

“Nuk mund ta fshijmë Pacquiaon, pavarësisht humbjes në muajin Maj. Ai është një luftetar i madh dhe një kampion i madh botëror, njëkohësisht edhe kundërshtari im më i fortë në ring”.

Kjo do të jetë sfida numër 49 në karrierën e Mayweather i cili e mbylli konferencën për shtyp duke theksuar se nuk do të ketë një tjetër sfidë, të 50-ën në karrierën e tij. Në krahun tjetër, Berto përqendrohet te ndeshja.

“Ndihem shumë mirë. Jam stërvitur pa asnjë problem dhe kam në dispozicion një skuadër që më ka ndihmuar shumë. Jam shumë i fokusuar te kjo ndeshje sepse nuk kam konkurruar në nivele të tilla që prej shumë vitesh. Jam gati të dhuroj spektakël për njerëzit por gjithashtu jam gati të shkruaj historinë mbrëmjen e së shtunës”.