Gerrard me fjalë të mëdha për Kamberin: Unë u impresionova në fundjavë

Florian Kamberi nga Kosova ndryshoi ekip në afatin kalimtar te janarit, teksa kaloi nga Hibernian te gjigandët skocez të Rangers.

Shqiptari është aktivizuar me ekipin e ri në ndeshjet e kampionatit, por nuk e ka nisur asnjë ndeshje nga minuta e parë. Duket se mundësia për ta parë nga minuta e parë do të jetë sot, kur Rangers do të luajë me Bragën në Europa League.

Këtë e ka konfirmuar trajneri Steven Gerrard, ish futbollisti i mirënjohur anglez, i cili është shprehur se ka mbetur i impresionuar në fundjavë nga shqiptari.

“Kamberi është shumë afër të startuarit nga minuta e parë. Si trajner unë shikoj një lojtar që po pret me padurim ta nisë si titullar, pikërisht për këtë shanset rriten.

Janë disa lojtarë që në stërvitje po bëjnë shumë mirë. Unë u impresionova në fundjavë nga sulmuesi shqiptar, kur e aktivizova në pjesën e dytë. Mendoj se do të ketë një mundësi për të, jam i sigurt për këtë.”, u shpreh Gerrard.