Genc Hoxha: Prishtina e fortë, por sipas meje titullin e fiton Drita

Prishtina dhe Drita të dielën do ta zhvillojnë ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit, e cila do ta përcaktojë edhe kampionin e ri.

Aktualisht Drita i ka tri pikë përparësi dhe për ta fituar titullin i mjafton fitorja, barazimi, por edhe humbja me vetëm një gol dallim, ndërsa Prishtinës i nevojitet fitorja me së paku dy gola dallim.

Trajneri i njohur në futbollin kosovar, Genc Hoxha, vlerëson se Prishtinën e pret një mision i vështirë, pasi, sipas tij, skuadra e Bekim Isufit, ka treguar formë të lartë në këtë sezon të garave.

“Në ndeshje të tilla është vështirë të prognozosh se kush mund të fitojë, por mendoj se Prishtinën e pret një detyrë shumë e vështirë, pasi i duhet fitorja me dy gola epërsi”, ka thënë Hoxha.

“Duke marrë parasysh formën e lartë që ka treguar Drita, personalisht mendoj se është vështirë që Prishtina të mposhtë Dritën me dy gola epërsi, sepse edhe Drita mund të shënojë gol pasi që ka skuadër kualitative”.

“Mendoj se favorit për t’u shpall kampion i Kosovës është Drita”, ka theksuar trajneri gjakovar, i cili në vlerëson se kampionati i sivjetmë është më i miri i zhvilluar në vendin tonë.