Gazeta Olle sjellë formacionin më të mirë të stinorit vjeshtor në Superligë

Të zgjedhësh formacionin më të mirë të një stinori i cili konsiderohet si më i barabarti i pasluftës, është shumë e vështirë. Pas një analize të thellë, bazuar në paraqitjet individuale të futbollistëve dhe të rezultateve të skuadrave të tyre në fushë, redaksia e Gazetës Olle ka zgjedhur 11-shen dhe trajnerin më të mirë të gjysmë-sezonit të parë të Vala Superligës.

FATON MALOKU – Zhvilloi një tjetër stinor të mrekullueshëm, duke u konfirmuar si portieri më i mirë në vend edhe në bazë të statistikave.

Portieri më i mirë i stinorit vjeshtor shpallet Faton Maloku, i cili fiton balotazhin me Visar Bekajn e Prishtinës. Vetëm 9 gola të pësuar në 18 ndeshje, tregojnë më së miri kualitetet e gjilanasit.

Bashkë me portën e tij, ai e shpëtoi “me fytyrë” Feronikelin në shumë ndeshje të vjeshtës, duke u dëshmuar si futbollisti kryesor i skuadrës nga Drenasi. Të lumtë!

faton maloku

ARMEND THAÇI – Në të djathtë i pathyeshmi prapa dhe shpërthyesi përpara, Armend Thaçi i Gjilanit. Është nga ata “motorët” e pandalshëm që i duhet çdo skuadre, por që e ka ajo bardhëkuqe nga Gjilani.

Paraqitjet fantastike këtë sezon u shpërblyen edhe nga Përfaqësuesja e Kosovës, që e ftoi për miqësoren ndaj Letonisë.

3 gola në kampionat, 1 në Kupë dhe plot 6 asistime. Jo, jo, nuk po flasim për ndonjë sulmues, por për mbrojtësin e djathtë më të mirë në vend, Armend Thaçin.

24651108_1566004546771644_843223768_o

 

ELTON BASRIU – Verdikti real nxirret duke analizuar gjithë kampionatin e jo ndeshje të caktuara, andaj nëse s’do të ishte për takimin e humbur 4:3 ndaj Dritës, Liria do të kishte mbrojtjen më të mirë në Kosovë me 9 gola (bashkë me Feronikelin).

Për këtë ka merita e gjithë skuadra prizrenase, por një shtyllë e palëkundur e mbrojtjes ishte Elton Basriu!

Qendrori ka zhvilluar një stinor fantastik, duke u futur shpesh edhe në “Olle” formacionin e javës.

basriu

 

ARMEND DALLKU – Lider i pakontestueshëm i ekipit. Ok, nëse do të bërtiste më pak në fushë, do të ishte më mirë! Mahitë anash, ju prezantojmë me qendrorin tjetër më të mirë të vjeshtës – Armend Dallkun.

Kapiteni i Prishtinës ka zhvilluar një tjetër stinor shumë pozitiv, duke qenë lojtari kryesor i ekipit të tij.

Pos paraqitjeve fantastike në fazën e mbrojtjes, vushtrriasi ka shpëtuar shpeshherë ekipin edhe në sulm, ku ka realizuar 3 gola vendimtar!

dallku

 

ABDUL BASHIRU – Krahu i majtë është për futbollistin e vetëm të huaj që arrin të futet në 11-shen e stinorit. Abdul Bashiru zë një vend në formacionin më të mirë, falë paraqitjeve shumë pozitive nën fanellën e Prishtinës.

Afrikani i ka dhënë një siguri të kënaqshme ekipit prapa, por nëse mundohemi t’ia gjejmë një “defekt”, mbase duhet të jetë më i guxishëm përpara. Ose, ndoshta Mirel Josa duhet të jetë më i guxishëm me detyrat e Bashiru në fushë!

I vetmi bashkë me portierin Bekaj që bëri 18 paraqitje në 18 xhiro, pa u zëvendësuar asnjëherë!

bashiru i huj

 

MENTOR ZHDRELLA – Vizioni dhe super-golat e tij i kthehen Vala Superligës, por tani nën një fanellë tjetër.

Mentor Zhdrella i ka dhënë shumë Llapit në vjeshtë, aq shumë sa ekipi bardhekaltër u shpall kampion vjeshtor. Kreator kryesor i lojës llapjane dhe furnizues pambarim i sulmuesve.

Zhdrella konfirmohet edhe si një “goditje” maestrale e Llapit në afatin kalimtar të verës.

Zhdrella

 

ALBUTRINT MORINA – Krahas Zhdrellës në mesfushë vjen Albutrint Morina i Vëllaznimit.

Bashkë me shiritin e kapitenit, Morina barti mbi supe një përgjegjësi shumë të madhe – atë të të qenit futbollist kryesor në organizimin e lojës gjakovare. Ndërprenë shumë aksione para zonës së tij dhe ri-fillon e organizon shumë të tjera të ekipit të tij.

Shënoi edhe 4 gola, duke qenë ndër mesfushorët më efikas në elitë.

morina

 

XHEVDET SHABANI – Në krah të djathtë kush tjetër pos super-Xhevdet Shabanit. Më meritori që Drita përfundoi vjeshtën në vendin e tretë me katër pikë më pak se Llapi.

Realizoi 7 gola dhe dhuroi shumë asistime për shokët. I “tmerrshëm” për mbrojtjet kundërshtare me driblimet e shpejta në krah.

Po të pyesësh “Kush është futbollisti më i mirë momentalisht në Kosovë?”, shumëkush të përgjigjet Xhevdet Shabani!

drenica drita xhevdet shabani

 

FLORENT HASANI - Skuadra e tij dëshpëroi këtë stinor, por ai ishte përsëri më i miri. Në anën e majtë të mesfushës vjen Florent Hasani.

Zbulimi i vitit të kaluar te ekipi kampion, mbajti formën e lartë edhe kë të sezon, duke qenë futbollisti kryesor i ekipit të tij.

Realizoi 6 gola, dhuroi 4 asistime dhe bëri shumë për fanellën kampione te Kosovës.

trepca 89 prishtina florent hasani

 

MIRLIND DAKU –  Zbulimi i Llapit, Mirlind Daku, ka bërë një super-stinor nën fanellën bardhekaltër.

Ai ka realizuar 9 gola, duke pasur kështu merita të mëdha në suksesin historik të klubit nga Podujeva, që u shpall kampion vjeshtor.

Me këtë ritëm, Daku do të luftojë deri në fund për epitetin e golashënuesit të vitit, që do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm për të, marrë parasysh moshën e re.

llapi flamurtari mirlind daku

 

GENC HAMITI – Me Dakun në sulm vjen një mrefushor natyral, që u shndërrua në sulmues dhe shkatërroi kundërshtarët.

Genc Hamiti i Drenicës la të gjithë gojëhapur me paraqitjet nën fanellën e ekipit kuqezi, sidomos në gjysmën e dytë të stinorit vjeshtor.

Duke mos pasur shumë alternativa, Bekim Shotani e inkuadroi në sulm, ku shpërtheu totalisht me 9 gola. Sakrifikoi duke e ndërruar pozitën, sakrifikoi duke luajtur për para dhe në fund mundi iu shpërblye. Bravo Genci!

genc hamiti

 

TAHIR BATATINA – Nëse dikush nga ju ka dyshime, ju ftojmë ta shikoni tabelën. Trajneri më i mirë i stinorit vjeshtor shpallet Tahir Batatina i Llapit.

Në një kampionat shumë të fortë e të balancuar, me rivalët e super-përforcuar, ai arriti që me skuadrën e tij në fund të renditet mbi të gjithë të tjerët.

Treguesi më i mirë për një trajner janë rezultatet dhe ato, të paktën në vjeshtë, konfirmojnë se Batatina është një super-trajner!

tahir batatina

 

“Olle” formacioni i stinorit vjen me renditjen klasike, 4-4-2.

 

Më poshtë e keni 11-shen më të mirë të stinorit vjeshtor. /Gazeta Olle/

formacioni i sezonit