Gati për Evropë!

Një delegacion i FIFA-s e ka vizituar klubin e futbollit Feronikeli për ta parë nga afër gjendjen e kampionit kosovar. Drejtuesit e “Niklit” thonë se përfaqësuesit e shtëpisë së futbollit ndërkombëtar u ndanë të kënaqur me atë që panë. Presidenti, Ekrem Elshani, beson fuqishëm se klubi i tij është gati për Evropë, për sezonin tjetër. E vetmja gjë që i mungon momentalisht këtij klubi është stadiumi.

Feronikeli ka filluar të mendojë qysh tash për pjesëmarrjen në garat evropiane. Kampioni i Kosovës është duke u munduar t’i përmbushë të gjitha kriteret, në mënyrë që, nëse shpallet kampion, nënkampion ose nëse e fiton Kupën e Kosovës, në sezonin e ardhshëm të marrë pjesë në garat evropiane.

“Nikli” së fundmi i pati mysafirë dy zyrtarë të FIFA-s, të cilët e shikuan me sytë e tyre nga afër rrjedhën dhe ecurinë e këtij klubi në të gjitha aspektet. Dhe, duket se mysafirët u ndanë të kënaqur me atë që e panë në Drenas.

“E patëm mysafire një zyrtare të lartë të FIFA-s, si dhe asistentin e saj. U interesuan për gjendjen financiare, të hyrat dhe të dalat, pastaj e vizituan qendrën stërvitore, shkollën e futbollit etj,. Ata u ndanë të kënaqur me atë që panë”, deklaroi për “Zërin” presidenti i klubit, Ekrem Elshani.

S’ka më pengesa, mund të luajmë në Evropë

Ndër të tjera, kreu i klubit nga Drenasi beson se qysh tash Feronikeli i përmbush kriteret për pjesëmarrje në garat evropiane. Gjithsesi, klubi do të punojë në muajt e ardhshëm për të qenë gati 100 për qind. “Ne jemi gati për pjesëmarrje në garat evropiane. Në aspektin financiar, tash jemi në rregull. Kemi nisur nga qershori të bëhemi gati”, nënvizoi ai.

Stadiumi, pengesa e vetme

E vetmja pengesë momentalisht e kampionit të dyfishtë kosovar është stadiumi. Pasi stadiumi “Rexhep Rexhepi” nuk i plotëson kriteret për gara ndërkombëtare, “Nikli” duhet të bëhet “zot shtëpie” në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë ose në stadiumin e qytetit në Prishtinë. “Ne duhet të luajmë në njërin nga këta dy stadiume. Momentalisht nuk i plotësojnë kriteret, por besoj se deri në qershor të vitit të ardhshëm do të jenë të gatshëm”, vazhdoi Elshani, i cili zbuloi se Feronikeli tash e tutje do të ketë vizita të shpeshta nga zyrtarët e UEFA-s e FIFA-s.

“Nikli” e do titullin

Mirëpo, për të dalë në garat evropiane “Niklit” i nevojitet t’i bëjë “detyrat e shtëpisë”. Skuadra nga Drenasi duhet të tregohet e suksesshme në nivelin kombëtar për ta prerë biletën për pjesëmarrje në kualifikimet e Ligës së Kampionëve ose Europa League.

“Ne jemi të kënaqur me rrjedhën e deritashme. Kemi bërë përforcime dhe jemi kompletuar. Në çdo repart i kemi nga dy lojtarë, por varësisht prej nevojës mund të bëjmë ndonjë lëvizje në janar. Prandaj, besoj se do të jemi konkurrenti kryesor për titull. Për më shumë, duhet ta presim përfundimin e sezonit”, përfundoi Elshani.

Feronikeli priste të merrte pjesë në garat evropiane qysh në këtë sezon si kampion, por kampioni nuk i plotësonte të gjitha kriteret dhe UEFA e la jashtë Evropës, njëjtë si FC Prishtinën.