“Gara” për licencim, më e rëndësishme se ato për trofe

Pos për titull e Kupë, klubi Trepça ’89 është në garë edhe për diçka tjetër që është e rëndësishme po aq sa trofetë – për licencim për gara evropiane, shkruan sot Koha Ditore.

Klubi nga “Riza Lushta” aktualisht kryeson në Vala Superligë me gjashtë pikë para përcjellësit të parë. Po ashtu është në çerekfinale të Kupës. Por triumfi në njërën prej këtyre dy garave nuk do ta ketë peshën e njëjtë nëse Trepça ’89 nuk ia del të plotësojë kriteret e kërkuara nga UEFA për licencim.

Mosplotësimi i kritereve nënkupton mospjesëmarrje në gara evropiane, përkatësisht në kualifikime për Ligën e Kampionëve apo Ligën e Evropës. Vjet për shkak të kësaj Ferronikeli e Prishtina nuk shijuan skenën evropiane.

Trepça ’89, njëjtë si edhe disa klube të tjera të Superligës, thonë se janë angazhuar seriozisht për të plotësuar kushtet që i kërkon UEFA. Te 89-shi për këtë është angazhuar drejtori sportiv, Veton Çitaku. Ai thotë se po punon me tre zyrtarë të tjerë të klubit për të plotësuar me kohë kriteret e kërkuara.