Gani Sejdiu: Ekipet që kanë nisur stërvitjet para nesh, do të kenë më shumë përparësi

Skuadra e Drenicës ka pesë ditë që ka filluar stërvitjet ndërsa me 2 qershor pritet të luajë ndeshjen e parë në kuadër të Kupës ndaj Prishtinës.

Trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu ka folur për ecurinë e stërvitjeve të skuadrës së tij pas rikthimit në fushën e gjelbër, përcjellë Gazeta OLLE.

“Risi nuk ka përveç fillimit të stërvitjeve, dhe me rëndësi është se përkundër skepticizmit shkaku i gjendjes fizike pas pandemisë, stërvitjet po vazhdojnë në mënyrë mjaft të mirë”, ka thënë Gani Sejdiu në RTK.

“Por, me rëndësi është se futbollistët janë të motivuar dhe përveç gjendjes fizike, ata janë edhe të kënaqur me rikthimin në fushë”, tregon më tej trajneri mitrovicas.

“Mendoj se skuadrat që kanë nisur stërvitjet para nesh, do të kenë më shumë përparësi. Ne nuk do të jemi në formë optimale në takimin e parë. Por, pavarësisht kësaj, ne jemi shumë të motivuar”, theksoi Sejdiu.