Gafa e FFK-së, të gjitha ndeshjet s’mund të zhvillohen në të njëjtin orar

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar në lidhje me vendimin e nxjerrë nga Komiteti Ekzekutiv për sa i përket ndryshimit të orarit për tri javët e fundit në Ipko Superligë dhe Ligën e Parë, shkruan Gazetasheshi.com.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së në mbledhjen e mbajtur dy ditë më parë (22 prill, 2019) ka nxjerrë vendimin ku thuhet se të gjitha ndeshjet e Ipko Superligës dhe Ligës së Parë do të luhen me një orar të njejtë.

“Të implementohet neni 14 i Propozicioneve të Garave lidhur me fillimin e ndeshjeve dhe orarin e tyre për IPKO Superligën dhe Ligën e Parë të Kosovës. Në këtë kontekst, të gjitha ndeshjet e IPKO Superligës dhe të Ligës së Parë, në tri xhirot e fundit të zhvillohen në ditën e njëjtë dhe kohën e njëjtë”, thuhet në vendimin e FFK-së.

Por, ka një problem që ndoshta anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës nuk e kishin menduar mirë.

Katër klube luajnë në terene të njejta dhe rrjedhimisht pamundëson zhvillimin e ndeshjeve me një orar të njejtë.

Në javën e 31-të të Ipko Superligës edhe Prishtina edhe Flamurtari luajnë në shtëpi, derisa “Fadil Vokrri” mund të rezervohet vetëm për një orar.

Java 31

Prishtina – Llapi
Flamurtari – Drenica

Në javën e 32-të të Ipko Superligës edhe Gjilani edhe Drita luajnë në shtëpi dhe stadiumi i qytetit në Gjilan mund të rezervohet vetëm një orar.

Java 32

Gjilani – Liria
Drita – Flamurtari

Gazetasheshi.com ka kontaktuar me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës në lidhje me këtë çështje, por telefonat e tyre ishin të zënë dhe pa çasje për të ju përgjigjur kësaj teme.