Futbollisti që luajti për Kosovën, tani zgjedh një Kombëtare tjetër

Federata Malajziase e Futbollit e ka publikuar procesin e futbollistëve të huaj që duan ta përfaqësojnë Malajzinë, duke e përmendur këtu edhe futbollistin kosovar, Liridon Krasniqi.

Federata Malajziase e Futbollit (FAM) përmes një njoftimi e ka treguar procesin e futbollistëve të huaj që duan ta përfaqësojnë këtë vend.

Me këtë rast, FAM ka folur edhe për futbollistin kosovar, Liridon Krasniqi, i cili pritet ta përfaqësojë në të ardhmen Malajzinë pasi Përfaqësuesja e Kosovës nuk e ka ftuar qe një kohë të gjatë dhe ai nuk e ka ndërmend të presë më.

Sekretari gjeneral i FAM-it, Stuart Ramalingam ka thënë se lojtarët e huaj duhet të ndihmohen nga klubet respektive.

“Lojtarët si Liridon Krasniqi e të tjerët duhet të flasin me klubet e tyre nëse ata kanë ndonjë synim apo objektiv. Liridoni duhet të presë edhe disa muaj para se të aplikojë. Lojtarët dhe klubet duhet të punojnë së bashku. Kjo do të ishte në të mirë të klubeve pasi ata do ta kishin më pas një hapësirë më shumë për lojtarë të huaj”, ka thënë ai.

“Në fund të ditës, këta lojtarë duhet të luajnë për flamur, e jo vetëm të mendojnë vetëm për ta shijuar futbollin ndërkombëtar. Sipas meje, Malajzia duhet të jetë në zemrën e tyre. Këta lojtarë duhet të japin gjithçka dhe ne nuk duam të kemi në ekip lojtarë individualistë, të cilët mendojnë vetëm për interesin e tyre”, përfundoi Ramalingam.

Krasniqi luan qe 4 vjet në Malajzi dhe do t’i nevojitet ta kalojë edhe një vit në këtë shtet për ta marrë pasaportën dhe më pas për ta pasur mundësinë të luajë për këtë vend aziatik.

Ai është njëri prej futbollistëve më të mirë në futbollin malajzias në vitet e fundit.