Futbollisti kosovar shkakton probleme te Kukësi, shkak transferimi i ri në skuadër

Ishte e 66-ta minutë, erdhi momenti që të debutonte Kristal Abazaj dhe ai që duhet të dilte nga fusha ishte Enis Gavazaj.

Ky i fundit nuk e priti mirë zëvendësimin, aq sa doli nga karshia, duke shmangur edhe takimin me lojtarin e ardhur rishtas te Kukësi.

Por në momentin e daljes nga fusha, Gavazaj rifutet në një pjesë të saj (pranë këndores më saktë), duke rrezikuar ndërprerjen e lojës dhe ndëshkimin me karton të verdhë. Arbitrat e mbyllën njërin “sy” në këtë rast, ndonëse është kundër rregullores.

E megjithatë, për të sqaruar gjithçka ndodhi, ka qenë vetë Nderim Nexhipi që ka folur për “Panorama Sport”.

Ai ka saktësuar se nervat e numrit 7 nuk kishin të bënin me tropojanin.

“Gavazaj është një vlerë për ekipin tonë, e natyrisht që kërkon të japë më të mirën në fushë. Dhe unë këtë e vlerësoj, por nga ana tjetër, të mos harrojmë që në ekip vendos trajneri, e kushdo qoftë zbaton urdhrat e trajnerit”.

“Ne jemi një familje, nuk ka aspak lidhje gjesti i tij me Abazajn, siç lexoj nëpër portale, ata janë shokë të mirë dhe dy lojtarë mjaft të mirë”.