Futbollisti kosovar rikthehet në Shqipëri

Partizani duket në rrugë të mbarë për të kthyer titullin pas një mungese çerekshekullore.

Përveç arritjes së objektivit madhor, mësohet se drejtuesit e klubit prej kohësh kanë nisur punën për konfigurimin e skuadrës që do të marrë pjesë në Europë, ku aventura mendohet të nisë nga turi i parë eliminator në Champions.

Piketat që nuk u realizuan në merkaton e dimrit, shpresohet që të finalizohen që në ditët e para të qershorit, ku përforcimi i sulmit ose më konkretisht gjetja e një “pyke” mbetet primare. Nga burime pranë klubit, “Panorama Sport” ka mësuar se drejtuesit nuk do të kursejnë asgjë në merkaton e verës, pasi duan të krijojnë një grup me kualitet me shpresën për të pasur një ecuri pozitive dhe të gjatë në Kupat e Europës.

Në këto kushte, drejtuesit kanë vënë në lëvizje bashkëpunëtorët e tyre, si brenda dhe jashtë vendit, për të gjetur lojtarët e duhur që trajneri Gega të formojë Partizanin europian. Në dallim nga ky sezon, pritet që vera të jetë e nxehtë në kampin e kuq, pasi të tilla mendohen prurjet. Në shënjestër janë lojtarë të ekipeve kombëtare.

LIRIDON LATIFI- Në kuadër të zërave dhe piketimeve të merkatos që Partizani ka për qershorin, “Panorama Sport” ka mësuar se një nga emrat e synuar është ish-mesfushori i Skënderbeut dhe i Kombëtares, Liridon Latifi.