Futbollisti kosovar refuzon Kosovën, i bashkohet Shqipërisë

Një lajm i mirë për trajnerin e Shqipërisë U-21, Alban Bushi, në këtë fazë të riformatimit të skuadrës së Shpresave.

Skautët e Shqipërisë kanë arritur të bindin Kosovar Sadikin të vishet kuqezi.
Mbrojtësi shtatalartë ka lindur në Kanada dhe është pjesë e grupmoshave të këtij shteti, ndërsa pas vetes ka patur dhe interesimin e Kosovës.

Telesport mëson me burime pranë lojtarit se i riu zgjodhi të vishte fanellën e kombëtares shqiptare dhe me shumë mundësi do të jetë pjesë e Shqipërisë U-21. Ai po pret ftesën e teknikut Bushi. Sadiki ka një karrierë interesante, pasi ka qenë pjesë e moshave të Stoke City-t.
Mbrojtësi ka luajtur dhe me ekipin U-23 të këtij klubi, ndërkohë që ka provuar dhe një aventurë në Kroaci te NK Lokomotiva.

20-vjeçari shihet si një element i mirë për të ardhmen, por duhet parë se si do të shkojë karriera e tij. Sadiki ka parametra të mira, pasi është 195 centimetër i gjatë. Atmosfera ndërmjet skautëve të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe asaj kosovare vazhdon të jetë “e nxehtë”.

Image