Futbollisti i Kosovës padit Shqipërinë për të luajtur për ‘Dardanët’

Mesfushori i Kasimpashas në Turqi, Loret Sadiku, ka angazhuar avokat në FIFA në mënyrë që t’i lejohet përfaqësimi me Kosovën, shkruan gazeta “Zëri”.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” kryetari i FFK-së, Agim Ademi, i sqaron rastet edhe të Florent Hadërgjonajt të Huddersfieldit dhe Bastian Tomës së Sionit.

Loret Sadiku kohë më parë e ka lënë Kombëtaren e Shqipërisë për të luajtur me atë të Kosovës, që në periudhën kur Kosova nuk ishte pranuar ende në UEFA dhe FIFA.

Mesfushorit të Kasimpashas në Turqi nuk po i lejohet të luajë për Kosovën pasi sipas FIFA-s kjo është jashtë rregullores, transmeton Gazeta Olle.

Kujtojmë se Sadiku e kishte ndryshuar njëherë kombëtaren duke e lënë Suedinë për Shqipërinë dhe hera e dytë është e palejueshme.

27-vjeçari nga Prishtina është duke punuar me avokat në FIFA në mënyrë që ta marrë “izën” për të luajtur me Kosovën.

Ai pretendon se i është falsifikuar nënshkrimi nga Federata e Futbollit të Shqipërisë në momentin për të luajtur me Shqipërinë.

Gazeta “Zëri” e ka kontaktuar kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademin, i cili ka folur për çështjen në fjalë. “Dëshira e Loret Sadikut është që të aktivizohet me Kosovën. Ai e ka angazhuar një avokat në FIFA në mënyrë që ta fitojë të drejtën për të luajtur me Kosovën”, ka thënë të hënën Agim Ademi.