Futbollisti i Kombëtares shqiptare thyen një rekord të zi në Bundesligën gjermane

Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Klaus Gjasula është ndëshkuar me karton të verdhë në ndeshjen e së shtunës në mes të Paderbornit dhe Hoffenheimit.

Ndeshja e xhiros së 27-të të Bundesligës gjermane ka përfunduar 1:1. Gjasula ka vazhduar të jap kontribut në qendër të mesfushës së Paderbornit, ndërsa është ndëshkuar edhe me një karton të verdhë. Për të ishte kartoni i 14-të i verdhë këtë edicion.

Sipas “Kicker.de”, Gjasula është lojtari i parë në histori të Bundesligës që është ndëshkuar 14 herë në 27 ndeshjet e para në Bundesligë.

Madje Gjasula po e rrezikon edhe rekordin e Tomasz Hajtos për më së shumti kartonë të verdhë në një edicion. Hajto ishte ndëshkuar 16 herë.

Gjasula 30-vjeçar, për herë të parë luan në Bundesligë këtë edicion. Ai është ngritur gradualisht nëpër nivelet e futbollit gjerman. Për Shqipërinë ka debutuar vitin e kaluar.