Futbollistët e Përfaqësueses të shokuar me lajmin për Fadil Vokrrin

Vdekja e papritur e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka tronditur gjithë opinionin mbarëshqiptarë dhe më gjerë.

Kreu i FFK-së humbi jetën paraditen e sotme, teksa ndodhej në një qendër fitensi në Prishtinë.

Lajmi për vdekjen e tij ka bashkuar të gjithë spektrin vendorë, përfshirë sportin, politikën e kulturën.

Vdekja e Vokrrit ka prekur edhe futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës.

“Jam i shokuar, nuk mund të besoj që legjenda e futbollit nuk do të jetë më në mesin tonë. Do të kujtojmë gjithmonë President, ashtu si një njeri të qeshur dhe modest, edhe atëherë kur të gjithë shqipetarët të lavdëronin për punën tënde. Do të mbetesh frymëzimi ynë i perhershëm. Jam pa fjale por me dhimbje shumë ! Ngushëllime familjes dhe të gjithë Kosovës. Një legjendë si Fadil Vokrri nuk vdes kurr, ai gjithmonë do te jetë me ne, me kujtimet më të mira. Faleminderit President !”, shkroi kapiten Ujkani në Facebook.

“U prehsh në paqe Fadil Vokrri! E kisha nderin që të kam njohur legjenda e futbollit. Do të na mungosh shumë President”, ishte shkrimi i Valon Berishës.

Rëndë vdekjen e përjetoi edhe Herolind Shala, që vetëm dy ditë më parë e kishte mysafir në shtëpi presidentin Vokrri.

“Dy ditë më parë ishe dhe më vizitove. Kaluam shumë qaste të mira. Më the shumë fjalë të mëdha dhe tani ke ikur befasisht. Ky largim i yti president nga jeta më ka tronditur mua, është humbje e madhe për ne si futbollist të Përfaqësueses, për FFK-në dhe gjithë popullin e Kosovës. Prehu në paq legjendë, do të luajmë gjithmonë për ty”, ka shkruar Herolind Shala.

“Ngushëllime futbolldashësve dhe familjarëve. U prefsh në paqe shef”, ka shkruar Bersant Celina.

“Ngushëllime familjes. U prefsh në paqe President”, ka shkruar Besar Halimi.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin e papritur të kalimit në amshim, të Kryetarit të FFK-së, Legjendës sonë të Futbollit, më të mirit tonë të të gjitha kohërave, Fadil Vokrri. Fadili do të mbetet i paharrueshëm për Gjeneratat e vjetra kur në kohën e regjimit dridhi një Jugosllavi me lojën e tij të bukur dhe golat e shënuar, dhe i bëri me zemër, Shqiptarët e robëruar! Ndërsa ne Gjeneratat e reja do ta mbajmë mend mirë si njeriun që dha gjithçka nga vetja që të realizohej ëndërra jonë e kahmotshme, pranimi në Fifa dhe Uefa, përkrah kombeve tjera të botës. Të rinjtë tanë, tanimë e kanë mundësinë, të luajnë të barabartë me bashkmoshatarët e tyre të huaj, dhe ta ngrisin emrin e Kosovës në piedestalin më të lartë, andaj Falemnderit Fadil, Falemnderit nga zemra Kryetar! Ngushëllime Familjes, shokëve dhe gjithë sportistëve, Prehu në Paqe”, shkruhej në reagimin e Bernard Berishës.

“Pusho në paqe legjend”, ka shkruar shkurt Rashica. /Lajmi.net/