Futbollistët e kombëtares shqiptare në udhëkryq për të ardhmen

Shumë prej futbollistëve të kombëtares së Shqipërisë janë me valixhe në duar. E ardhmja e tyre është në pikëpyetje dhe situata e krijuar mund të ndikojë negativisht edhe në kombëtare.

Një nga futbollistët më të lakuar sa i përket të ardhmes është mbrojtësi Elseid Hysaj. Futbollisti i Napolit ka shprehur publikisht dëshirën për t’u larguar nga klubi italian dhe destinacionet nuk mungojnë.

Pengesa e vetme që mban peng të ardhmen e futbollistit shkodran është kërkesa e Napolit. Bardhekaltërit kërkojnë plot 25 milionë euro për futbollistin e kombëtares ndërkohë që skuadra më e interesuar për anësorin e djathtë, Atletico Madrid, është ndalur në 15 milionë. E ardhmja e 25-vjeçarit është në udhëkryq, shkruan Abcnews.

Bomberi i kombëtares, Armando Sadiku pritet t’i japë fund aventurës në Spanjë tek Levante. Trajneri Paco Lopez nuk e ka aktivizuar sulmuesin në asnjë prej takimeve miqësore dhe i ka komunikuar se nuk bën pjesë në planet e tij për sezonin e ardhshëm. Sadiku ka oferta nga kampionati turk, por kërkon të qëndrojë në Spanjë.

Balliu, Ajeti, Grezda dhe Aliji janë në kërkim të një aventure të re dhe situata është mjaft e ndërlikuar.

Mesfushori Ergys Kaçe është rikthyer tek Paoku pas huazimit njëvjeçar tek skuadra e Panathinaikosit, por e ardhmja mbetet e paqartë. Nuk dihet me siguri nëse shtatshkurtri do të shitet përfundimisht apo do të qëndrojë tek Paoku që zotëron kartonin e futbollistit.

Qendërmbrojtësi i kombëtares, Kastriot Dermaku u transferua në Serinë A tek skuadra e Parmës. Një ngjitje e jashtëzakonshme në karrierën e futbollistit shqiptar, por nuk dihet ende nëse do të luajë sezonin e ardhshëm tek klubi italian apo do të huazohet diku tjetër për të luajtur me tepër pasi tek Parma nuk e ka të sigurt vendin e titullarit.

Sokol Cikalleshi mund të largohet nga Turqia ku aktivizohet prej katër sezonesh. Aventura në futbollin turk është shoqëruar me ulje ngritje për sulmuesin e kombëtares.

Kristal Abazaj, një ndër emrat më të lakuar në Shqipëri, i cili konsiderohej si e ardhmja e sulmit të kombëtares, mund të rikthehet tek Anderlechti në Belgjikë ose të vijojë edhe për një tjetër sezon tek Osijeku në futbollin kroat. Futbollisti shqiptar nuk përmbushi pritshmëritë tek Anderlechti dhe e ardhmja është në dyshim.