Futbollistët e Feronikelit janë befasuar me numrin e vogël të shikueseve ndaj Milanit

Futbollistët e Feronikelit patën fatin që të shtunën të jenë kundërshtarë të një prej skuadrave më të mëdha në Evropë, Milanit. Ata e pritën me entuziazëm këtë sfidë dhe gjatë gjithë ditës flisnin vetëm për ndeshjen, por asnjë moment nuk kishin menduar se në fund të ndeshjes do të ndahen të zhgënjyer. Numri i vogël i tifozëve në stadium për ta ishte zhgënjim, ngjashëm siç ishte edhe për lojtarët e Milanit.

Zbritja e Milanit në Kosovë për një ndeshje miqësore me kampionin e Kosovës Feronikelin ka bërë bujë të madhe në të gjitha trojet shqiptare, madje jo vetëm pasi ishin mediet ndërkombëtare që i dhanë jehonë bukur të madhe kësaj sfide. Megjithatë, askush nuk e kishte pritur që fundi i saj do të kthehet në zhgënjim total.

Dita e shtunë në kryeqytet u përshkrua si një ditë feste. Në Prishtinë po vinte një nga ekipet më të trofeshme, shtatë herë kampioni i Evropës, Milani. Tifozët në mënyrë të organizuar dolën dhe i pritën, madje një numër i madh i tyre për orë të tëra qëndruan para hotelit, ku ishte vendosur skuadra e Milanit, vetëm e vetëm që t’i shohin nga afër yjet kuqezi.

Mirëpo mbrëmja e së shtunës dëshmoi që jogjithçka ishte në rregull me atë ndeshje. Stadiumi “Fadil Vokrri” ishte pothuajse i zbrazët, duke bërë që takimi Feronikeli – Milan të duket krejt i shëmtuar, ani pse në fushë luanin yje të mëdhenj si Suso, Castillejo, Romanioli, Bonaventura, Piatek, Donnarumma e shumë të tjerë, që deri atë mbrëmje vetëm në televizion kishim mundësi t’i shohim.

Sido që të jetë, njohësit e futbollit e kanë shumë të lehtë ta deshifrojnë se ku ishte problemi që nuk pati tifozë. Sipas tyre, ishin biletat me çmime astronomike ato që i pamundësuan tifozit të jetë i pranishëm në stadium, derisa organizatori i kësaj ndeshjeje këtë çmim të biletave e arsyeton më faktin se organizimi i saj kishte kosto të lartë dhe ishte e pamundur që të mbulohen shpenzimet. Megjithatë, nga pamja që u pa në stadium jo që u mbuluan shpenzimet, por humbjet duket të jenë të mëdha.

Futbollistët e Feronikelit patën fatin që të shtunën të jenë kundërshtarë të një prej skuadrave më të mëdha në Evropë, Milanit. Ata e pritën me entuziazëm këtë sfidë dhe gjatë gjithë ditës flisnin vetëm për ndeshjen. As për një minutë nuk e kishin menduar se në fund të ndeshjes do të ndahen të zhgënjyer më atë që do të shihnin. Numri i vogël i tifozëve për ta ishte dështim, pasi mendojnë se një skuadër si Milani ka merituar më shumë tifozë.

“Them të drejtën, është dukur si një ndeshje miqësore e skuadrave kosovare, nuk po them as ndeshje kampionale, pasi në kampionat ka më shumë shikues sesa në atë ndeshje”, ka thënë Fazliu për gazetën “Zëri”, i cili nuk ka dashur të flasë se cili ka qenë problemi.

“Nuk dua të hyj në detaje nëse ka qenë biletat ose jo, edhe pse mendoj se një pjesë e madhe ka qenë çmimi i lartë, por ajo që them është se ajo ndeshje ka merituar shumë më shumë tifozë”, vlerësoi sulmuesi i “Niklit”, i cili tërthorazi e pranon se as lojtarët e Milanit nuk janë ndier aq komodë në një stadium të tillë. “Unë personalisht nuk e kam diskutuar me asnjë lojtar të Milanit atë situatë. Nuk kam komunikuar me ta gjatë ndeshjes për atë situatë, por sigurisht që edhe ata nuk e kanë pëlqyer që stadiumi të jetë i tillë”, ka përfunduar Astrit Fazliu.

Tash të gjithë e kanë të qartë se në Kosovë dashuria për futboll nuk mungon dhe kjo u pa gjatë ditës, kur një numër i madh i tifozëve dolën dhje i pritën lojtarët te hoteli, por ishin biletat e shtrenjta ato që i pamundësuan të jenë edhe në stadium dhe për këtë gjë përgjegjësinë duhet ta marrë organizatori, që gjatë gjithë kohës ka paralajmëruar se biletat po shiten me ritëm të kënaqshëm, madje një ditë para ndeshjes u tha se 85 për qind të biletave janë shitur, gjë e cila doli të jetë krejt e pavërtetë.