Fushë Kosova ankohet: Mysafirët na dëmtuan zhveshtoren vetëm pse humbën

Të mërkurën, Fushë Kosova ishte nikoqire e skuadrës gjakovare, Dardanët, në kuadër të xhiros së shtatë në Ligën e Dytë.

Në këtë takim vendasit shënuan fitore me rezultatin 4-1, shkruan Gazeta Olle.

Por në këtë takim kishte disa incidente, madje një prej tyre ndodhi edhe në tribuna ku disa tifozë tentuan t’i sqaronin problemet mes tyre brenda stadiumit.

Por skuadra e Fushë Kosovës sot në rrjetet sociale ka publikuar disa foto ku tregon se zhveshtoret e tyre janë dëmtuar nga skuadra mysafire.

“Kjo është gjendja e dhomës së mysafirëve për të cilën fajtor janë lojtarët e KF Dardanët! Huliganizëm, sjellje shtazarake vetëm shkak i rezultatit humbës. Futbolli luhet për respekt mirëpo një gjë të tillë aspak nuk e kanë bërë këta të fundit, prandaj së shpejti drejtësia do të merret me ta”, kanë shkruar “Pampurat” në faqen e tyre në rrjetet sociale.