FSHF u merr klubeve të drejtën TV

Të hënën do të zhvillohen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, ndërkohë që të gjithë aktorët e futbollit do të jenë të pranishëm. Anëtarët e FSHF-së do të kenë mundësinë që të votojnë propozimet e kryera deri më tani, ku jo pak ndryshime do të ketë.

Madje, në materialet e shpërndara për klubet bie në sy një ndryshim thelbësor i statutit të FSHF-së, që me shumë gjasë do të gjejë edhe një herë tjetër “dritën jeshile” dominante në sallë nga kartonët e anëtarëve të FSHF-së. Bëhet fjalë, për të drejtën televizive dhe ndryshimin thelbësor të pronësisë së saj.

E DREJTA TELEVIZIVE

Deri më sot, në statut është caktuar që e drejta Televizive është në pronësi të FSHF-së dhe anëtarëve të saj, për ta shpërndarë dhe më tej për të përfituar secila skuadër nga të ardhurat, raporton Panorama Sport. Mirëpo, institucioni i futbollit ka parashikuar një ndryshim rrënjësor në pronësi. Në materialet e shpërndara për klubet, shkruhet se tanimë, pronar i kësaj të drejte do të jetë vetëm institucioni i futbollit në vend.

Në statutin e miratuar në vitin 2015, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka propozuar që neni 55-pika 1, e cila sanksionon pronësinë e së drejtës Televizive, të ndryshojë thelbësisht. Ja si është aktualisht ky nen. “Neni 55, pika 1- Të drejtat (duke përfshirë të drejtat e medias etj,): FSHF dhe anëtarët e tij janë pronarët origjinalë të të gjitha të drejtave që dalin nga garat dhe ngjarje të tjera që vijnë nga juridiksioni respektiv i tyre…

Këto të drejta përfshijnë midis të tjerash, çdo lloj të drejte financiare, audiovizuale dhe regjistrim në radio, të drejtat e riprodhimit dhe transmetimit, të drejtat e multimedias, të drejtat e marketingut dhe reklamave dhe të drejtat për jo-materiale si emblemat dhe të drejtat që dalin mbi bazën e ligjit shqiptar për të drejtat e autorit”.

SI DO BËHET – Sipas propozimit të KE-së, klubi do të miratojë që ky nen të bëhet: “FSHF, si organizatore e veprimtarive futbollistike në Republikën e Shqipërisë, është pronare e së drejtës së transmetimit (televiziv apo në formën e teknologjive të reja) të kësaj veprimtarie, duke pasur të drejtën ta shesë atë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

dssds

Në këtë mënyrë, për klubet do të jetë një gafë e rëndë dhe një “autogol” i madh në rast se do ta kalojnë në votim, duke miratuar vetëkalimin e pronësisë së kësaj të drejte tek institucioni.