Franca zhduk Skënderbeun nga bastoret

Shteti francez ka marrë dje një vendim të çuditshëm, pasi ka ndaluar me një vendim zyrtar kuotimin nga kompanitë e basteve online të ndeshjeve të Kategorisë Superiore në të cilat luan klubi i Skënderbeut. Në dokumentin e siguruar nga Vip Sport, nuk jepen shpjegime se pse është marrë një vendim i tillë, por është padyshim një masë e rrallë që merr ky autoritet shtetëror.

Në Francë, kompanitë dhe fluksi i basteve sportive online kontrollohen nga një autoritet shtetëror (ARJEL) i cili monitoron dhe raporton vazhdimisht për kuotat, shumat që qarkullojnë si dhe shërben si rregullator sa u përket ecurisë dhe aplikimit të legjislacionit francez për bastet sportive.

Por mjafton të shohësh historikun e ARJEL për të konstatuar se një vendim si ai për Skënderbeun nuk ka ndodhur në vitet e fundit me klube të tjera. Arsyet janë ende të pashpjeguara, por që nga dita e sotme, Skënderbeu nuk do të kuptohet nga kompanitë ne Francë, deri në mbyllje të sezonit futbollistik.

“Ndalohen bastet sportive online që u përkasin ndeshjeve të kampionatit shqiptar të nivelit të parë (Kategoria Superiore), në të cilat merr pjesë ekipi KF Skënderbeu. Kjo masë aplikohet deri në fund të kampionatit dhe hyn menjëherë në fuqi”, shkruhet në vendimin e publikuar me urdhër të presidentit të ARJEL, Sharl Kopolani.

Zakonisht, kompani të veçanta bastesh mund të ndërpresin kuotimin e ndeshjeve të një ekipi për arsye nga më të ndryshmet, por vendimi i mësipërm i siguruar nga Vip Sport është edhe më i rrallë pasi bëhet fjalë për një agjenci shtetërore e cila ka autoritet të plotë mbi të gjithë territorin francez dhe që bën të jashtëligjshëm këdo që del kundër këtij vendimi. /vipsport.al/

bastet