Florian Miftari ka disa fjalë për ‘Plisat’

Drejtori i klubit Sigal Prishtina Florian Miftari përmes një komunikate për media ka treguar vështirësit në të cilat po has klubi prishtinas duke falenderuar tifozët për mbështetjen që po i ipet klubit prishtinas.

Ja komunikata e plotë:

Të dashur tifozë të klubit të basketbollit Prishtina, të dashur Plisa. Na lejoni që të ju falënderojmë nga zemra për përkarahjen e dhënë klubit tonë në vazhdimësi. Edhepse ne vazhdimisht po përballemi me sfida të ndryshme dhe kushte shumë te këqia të infrastrukturës në vendin tonë, gjithmonë me improvizime në mungesë së një palestreje sic do i kishte hije qytetit dhe klubit më të madh jo vetëm të të Kosovës, por klubit më të madh mbarëkombëtar, ne po ja dalim që në mënyren më të mirë të mundshme të organizojmë lojëra ndërkombëtare të nivelit më të lartë që organizohen nën ombrellen e FIBA-së. Ne mbrëmë treguam që jemi klub i madh me buxhetin më të vogël në këtë grup e ndoshta edhe në krejt garën, por me zemër shumë të madhe, si kampionë të vërtetë të dekadave te fundit. Mos të harrojmë se ne mbrëmë kemi mposhtur një kundërshtar me lojtarë që vitin e kaluar kanë luajtur në ligën më të fort të basketbollit evropian, në Euroleague, ku vetëm njëri prej tyre kushton më shumë se krejt buxheti ynë.

Cdo fjali dhe koment është i tepërt, ne sinqerisht duam t’i falënderojmë të gjithë sponzorët tanë të cilët me të vërtetë po na lehtësojnë rrugën drejt sukseseve tona dhe pa të cilët asgjë nuk do të ishte e mundur. Po ashtu duam t’i falënderojmë tifozët më të mire në botë Plisat, lojtarin tonë të gjashtë të cilët në asnjë moment nuk po e lënë klubin vetëm dhe me veprat e tyre po i japin hijeshi të gjitha ligave ku ne po marrim pjesë . Ne duam t’i falënderojmë edhe ata që vazhdimisht drejtojnë kritika ndaj klubit dhe që zhgënjehen paarsyeshëm qoftë edhe pas një ose disa humbjeve, sepse klubi adhurohet e përkrahet edhe ne fitore e edhe më shumë në humbje. Poashtu, i ftojmë të gjithë që e duan klubin me zemër që të qëndrojmë së bashku edhe në momente të mira edhe në të vështira, sepse kjo garë është shumë serioze dhe e fortë për nga cilësia dhe vetëm bashkë mund t’i kalojmë këto pengesa. Ambiciet tona janë në përputhje me mundësitë buxhetore dhe infrastrukturore. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe me punë, angazhim e vetëmohim të mundohemi ta kalojmë fazën e parë që do të përbënte një sukses të madh për të gjithë ne. Ckado që tejkalon këtë synim është e mirëseardhur.