Florent Hasani mesazh rivalëve për titull

Trepça ’89 si me lojë po ashtu edhe me rezultat dominoi ndaj Besës nga Peja, duke triumfuar me rezultat 5:0 në finalen e Superkupës së Kosovës.

Kampioni u tregua i pamëshirshëm ndaj fituesit të Kupës, por nuk duhet harruar një fakt se, Besa ka filluar me vonesë përgatitjet dhe me shumë mungesa, ngase një numër i lojtarëve është larguar nga radhët e tyre gjatë këtij afatit kalimtar.

Sulmuesi i krahut të Trepçës ’89, Florent Hasani, është i ngazëllyer që me skuadrën e tij fituan Superkupën. Ai pretendon me ’89-shin të luftojnë për të gjitha trofetë në edicionin e ri, në radhë të parë të mbrojnë titullin e kampionit. Ai vlerësoi të gjithë bashkëlojtarët për paraqitjen që dëshmuan në sfidën me fituesin e Kupës.

“Thënë të drejtën nuk kam pritur fitore kaq të thellë, edhe pse dihet situata e Besës, por kemi hyrë në ndeshje të motivuar maksimalisht dhe s’e kemi nënçmuar”, thotë Hasani për gazetën kombëtare “Bota sot”.

89-shi në ndeshjen hapëse të edicionit të ri do të luajë si vendas ndaj Flamurtarit.