Flet kryetari i 89-shit: Ja si i arritëm objektivat

Trepça ’89 po konsiderohet befasia më e këndshme e sezonit vjeshtor për shkak se përfundoi në vendin e parë të Superligës, edhe pse kishte startuar me shumë ndryshime – pa disa futbollistë e donatorë të rëndësishëm. Por, për kryetarin Abedin Zeka suksesi i ’89-shit nuk është befasues. Para se t’i niste ndryshimet e mëdha në “Riza Lushta”, Zeka kishte besuar se ato do ta çojnë shumë lart skuadrën e tij. Ai tregon se ’89-shi nuk shpenzoi aq shumë para deri te ky sukses, ndërsa beson se do ta mbyllin kampionatin në të njëjtin vend

Trepça ’89 e kishte nisur kampionatin pa disa futbollistë të njohur dhe pa disa donatorë, me të cilët ishte ndarë, shkruan sot gazeta Zëri.

Ardhjet e reja në skuadër nuk mbushnin sy, andaj askush nuk priste diçka të madhe nga kjo skuadër, e cila nuk arrinte deri te titulli i kampionit as në vitet e mëparshme kur bënte tentativa të dukshme më të mëdha.

Por, në fund të sezonit vjeshtor klubi mitrovicas përfundoi në vendin e parë të Superligës së futbollit, duke shkuar në pushim dimëror si kampion para dy favoritëve më të mëdhenj, Prishtinës dhe Feronikelit.

Ky sukses i ’89-shit po konsiderohet befasi e mrekullueshme në vendin tonë. Por, kështu nuk mendon kryetari i këtij klubi, Abedin Zeka.

Ai kishte besuar në projektin që e kishte nisur, me të cilin të tjerët besonin se ky klub sivjet do të luftojë për një pozitë të mesit të tabelës.

“Ne kemi liruar lojtarë, por edhe kemi sjellë lojtarë tjerë. Kemi qenë të vetëdijshëm se me çfarë lojtarë, me çfarë ekipi po e fillojmë kampionatin. Për mua suksesi i Trepçës ’89 nuk është befasi, ani pse për të gjithë të tjerët konsiderohet befasi. Unë kam qëndruar pranë lojtarëve, trajnerëve dhe gjithmonë kemi besuar se do ta arrijmë vendin e parë eventualisht të dytin. E kemi ditur kualitetin tonë”, ka deklaruar për “Zërin” kryetari Abedin Zeka.

“Ne kemi shukatur, do të heshtim përsëri, do ta këqyrim punën tonë. Kemi lojtarë të rinj dhe cilësorë. Kemi grup kompakt të futbollistëve. Nuk kemi probleme, përçarje, xhelozi e këso gjërash. Andaj, është e vështirë të mposhtet Trepça ’89 me lojë e me kualitet. Me Feronikelin i humbëm dy pikë, të cilat na i mori referi duke mos na i dhënë dy penallti të pastra”, u shpreh ai.

Zeka: Me 400 mijë euro shtyhemi me regjionin

Njëra prej arsyeve kryesore që njohësit e futbollit i shtynë ta konsiderojnë befasuese ecurinë e Trepçës ’89 drejt vendit të parë në Superligë është fakti që klubi mitrovicas besohet të ketë shpenzuar dukshëm më pak sesa rivalët e saj për titull.

“Saktësisht nuk mund të them sa kemi investuar. Por mund të them se ne nuk u kemi premtuar futbollistëve vetëm fjalë në ‘hava’, por atë që ua kemi premtuar ua kemi realizuar”, thekson numri 1 i “Xehetarëve”.

“Ne zakonisht investojmë prej 150 deri në 200 mijë euro për një edicion garues. Në Kosovë ka klube që i fryjnë shpenzimet, duke përmendur shifra nga 400 mijë euro, 500 mijë euro. Të shpenzojë klubi ynë këso shumash, ne shtyhemi me regjion, e lëre më me Kosovë”, u shpreh ai.

Për më tepër, Zeka thotë se kriza financiare në futbollin kosovar është sfiduese edhe për Trepçën ’89.

“Në aspektin financiar ishte vështirësi bukur e madhe, por ne me ato mjete që kishim menaxhuam mirë. U kemi qëndruar gati obligimeve, i kemi kryer me paga e me krejt. Jemi organizuar dhe i kemi bërë paratë dhe sot nuk kemi askujt borxh”, u tregoi ai.

 

Zeka: Veç le ta marrim titullin, jemi gati për Evropë

Abedin Zeka vetëm lutet që klubi i tij ta fitojë titullin e kampionit dhe të kualifikohet në gara evropiane, të cilat do ta sfidonin Trepçën ’89 me përmbushje kriteresh, të cilat nuk kishin arritur t’i përmbushin as Prishtina e Feronikeli.

“Kemi kohë mjaft edhe gjashtë muaj, do t’i paguajmë kontributet, sigurimet shëndetësore dhe të gjitha. Veç le ta zëmë vendin e parë se nuk do të kemi probleme me kritere”, theksoi ai.

“Ne nuk do të ndalemi. Do të vazhdojmë me ushtrime, nuk do të pushojmë. Ndoshta na duhen edhe dy-tri përforcime. Ne do ta synojmë titullin”, nënvizoi Zeka.