Flet dizajnuesi i logos: Kosovarët e kanë një logo shumë më të bukur se të Serbisë

Dizajnuesi i logos së Federatës së futbollit të Kosovës, Sali Musliu, ka shpjeguar domethënien e logos.

Ai thotë se ka lexuar shumë interpretime për logon e tij, mirëpo asnjëra nuk qëndron. “Me ju thonë të drejtën, nëpër media e gazeta të ndryshme kam dëgjuar variacione e interpretacione nga më të ndryshme dhe shumë nga to s’kanë lidhje hiç me logon të cilën e kam punuar për Federatën e Futbollit të Kosovës”, ka thënë Musliu për KALLXO.com.

Musliu thotë se qëllimi i tij ka qenë që “me pak të tregojë shumë”, e që në gjuhën e artistëve të kësaj fushe njihet si parim i lëvizjes “Bauhaus”

“Për me formësue qëllimin… vendosa që t’i ndjek parimet e lëvizjes ”BAUHAUS ” – funksionalitet, racionalitet, përmbajte… pra, të gjitha këto është dashtë me i ndrydhë me një shprehje minimaliste, e që shqip i bie – ‘sa më pak aq ma shumë!’”, thotë tutje Musliu për KALLXO.com.

Tutje, ai thotë se kjo ka qenë finesa e parë e zhvillimit të idesë së krijimit të logos, që sipas tij s’ka të bëjë asgjë me patriotizëm e folklorizëm. “Këto kanë qenë pra finesat e para se në ç’drejtim duhet me u zhvillue ideja, çka po du me thonë është se bash fillova me udhëtue n’drejtim t‘kundërt prej folklorizmit, patriotizmit, federativni e do qesi sene”, tha ai tutje.

Ai e vlerëson logon si të pastër, pedante e pa ngarkesa, ndërsa estetikisht thotë se posedon refleksion të bukur. “Estetikisht posedon refleksion t’kojshëm dhe është kompakte për nga vizualiteti estetik”, tha tutje ai.

Duke folur për topin që shihet në logo, Musliu jep këtë sqarim. “Topi është i punuar me dorë të lirë me qëllimin që të shfaqet dinamika ekspresive në logo”, tha tutje Musliu. Ai thotë se logoja është unike për shkak se vizatimi i lirë është i ndërthurur me programet aplikative.

Ai ka komentuar edhe disa prej logove tjera që thotë se i ka parë në media. Musliu thotë se i vjen mirë që ka qenë pjesë e kësaj gare, ndërsa për dizajnet tjera shprehet kështu: “Unë mendoj se duhet kompjuteri me mendu me kokën tonë dhe jo koka jonë me mendu si kompjuteri”.

Krejt në fund, Musliu pohon se Kosova e ka logon më të mirë se të Serbisë.

“Po e shfrytëzoj kompetencën time prej artisti duke iu drejtuar të gjithë shqiptarëve dhe pakicave në Kosovë se, nga data 16.06.2018, kosovarët e kanë një logo shumë më të bukur se të Serbisë… çojeni nga nji gotë dosta dhe kshyrni Futboll”, tha për fund dizajneri Musliu që jeton dhe vepron në Gjermani.