Flamurtari i Vlorës e merr këtë vendim për Astrit Fazliun

Flamurtari bllokon Astrit Fazliun. Drejtuesit e klubit vlonjat nuk i kanë dhënë dokumentacionin sulmuesit kosovar për t’u larguar nga Vlora. Fazliu ka ngritur pretendimin se largimin e tij e kërkon për arsye familjare. “Jam djalë i vetëm dhe dëshiroj të qëndroj pranë familjes sime, ndaj dua të largohem në Kosovë”, mësohet se u ka thënë lojtari drejtuesve.

Por administratori Sinan Idrizi e ka refuzuar kërkesën për largimin e lojtarit. “Panorama Sport” zbulon se nëse largohej nga Flamurtari, Fazliu do të kalonte te Prishtina ose te Drita, por më pranë ishte klubi kryeqytetas. Drejtuesit i kanë vënë kusht lojtarit që nëse do të largohej, duhej që të paguante një shumë të caktuar në klub, ose do të shkonte në atë skuadër që drejtuesit vlonjatë do të përcaktonin.

Megjithatë lojtari ka udhëtuar me ekipin drejt fazës përgatitore dhe do të mbetet për t’u parë nëse pas kthimit në Vlorë do të gjendjet edhe akordi që ai të dalë i lirë.

Udhëtimi

Flamurtari ka mbërritur dje në Antalia ku do të zhvillojë edhe fazën përgatitore dimërore. Kuqezinjtë u nisën nga Rinasi rreth orës 05:00 të mëngjesit, ndërsa destinacioni ka qenë Stambolli. Pasi kanë mbërritur në Stamboll dhe pasi kanë shëtitur për pak në ambientet e aeroportit, më pas janë nisur në drejtim të Antalias me avionin e kompanive turke.

Në aeroportin e Stambollit, kuqezinjtë janë bashkuar me ekipin e Tiranës, ku edhe udhëtimin drejt Antalias e kanë bërë së bashku. Madje, ky fakt përforcohet edhe me fotot e publikuara nga sulmuesi i Flamurtarit, Danilo Alvesh, pas të cilit duket trajneri i Tiranës, Mirel Josa, në aeroportin që është i mbuluar nga bardhësia e dëborës. Kuqezinjtë pritet të zhvillojnë në Turqi një fazë përgatitore dimërore prej 10 ditësh, për t’u kthyer më 17 janar në Vlorë.

Lojtarët ditën e djeshme e kanë shfrytëzuar edhe për t’u njohur më nga afër me të gjithë territorin e resortit “Voyage Belek” ku edhe do të akomodohen. Gjatë qëndrimit në Turqi, ekipi ka planifikuar edhe të paktën zhvillimin e dy ndeshjeve miqësore. Trajneri Gentian Mezani dhe stafi teknik kanë përgatitur edhe programin stërvitor dhe nga dita e sotme ato do të nisin me ngarkesë të plotë.

Loading...