Fitore, muzikë, dron, nuk mungoi Vokrri

Liria ka ‘bombarduar’, skuadrën e kryeqytetit, Ramiz Sadikun duke e mundur me shifrat 7:0.

Protagonist i ndeshjes, që u zhvillua para rreth 2000 shikuesve ishte Qëndrim Gashi, që ka shënuar het-trik. ‘Shpërthimi’ i Gashit erdhi që në minutën e katërt, kur në brendi shënoi për 1:0. Deri në fund të pjesës së parë ‘bardhezinjtë’ të përkrahur zëshëm nga tifozët ‘Arpagjikët’ kanë shënuar dhe njëherë përmes Ramadan Kryeziut, në minutën e 15-të (2:0), duke luajtur kujdesshëm deri në fund të kësaj pjese.

I pranishëm në 45-minutëshin e parë ishte edhe kryetari i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri e nënkryetari, Agim Ademi, të shoqëruar nga anëtari i Bordit të Ekzekutiv, Agim Maloku. Ndeshjen e kanë ndjekur edhe asamblistë dhe figura tjera politike të qytetit të Prizrenit.  Nuk mungoi as një dron i hedhur nga tifozët derisa me muzikë u argëtuan të pranishmit.

Goleada e vërtetë erdhi në shprehje në pjesën e dytë. Fillimisht, Liridon Fetahaj (53′) shënoi për 3:0. Përsëri në skenë doli sulmuesi i ri e i talentuar Qëndrim Gashi, pas pesë minutash (58′) duke ngritur epërsinë në ‘Përparim Thaçi’, për 4:0.

Derisa festohej ky gol, Alban Guci shënon për herë të pestë (5:0), ndodhi kjo në minutën e 60.

Tre minuta më vonë, Gashi përmbylli tregolëshin e tij për 6:0 (63′), për t’i lënë vendin më pas Klaus Nikës, që i dha kremten fitores prej 7:0, në minutën e 70-të.

Kryetrajneri i prizrenasve, Skender Shengyli ia dedikoi fitoren tifozëve dhe qytetit e në veçanti, bordit që ka bërë punë të madhe. “Luajtëm me kujdes. Kemi qenë të përkushtuar për fitore. Kjo ndeshje na bënë të jemi edhe më të vëmendshëm në vazhdim. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Kampionati është i gjatë dhe kemi shumë sfida përpara. Do të jemi vazhdimisht në kërkim të lojës edhe më të mirë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, figura qendrore, ai që shpërtheu me tre-golësh, Qëndrim Gashi, nuk fshehu gëzimin për fitore. “Ne, sot luajtëm mirë të gjithë. Zbatuam detyrat e dhëna nga trajneri. Jam i lumtur për fitoren”.

Liria, luajti më këtë përbërje: Ruxhi, Rexhaj (Islamaj), Mazreku, Loshaj, Brando, Guci, Kryeziu, Gashi (Nika), Mullallari, Fetahaj (Likaj), Qakalli. Trajner: Skënder Shengyli.

vOKRRI Liria li Droni

Loading...