Finalja e Ligës së Kampionëve, fakt interesant

Për herë të parë që nga viti 2013, as Lionel Messi dhe as Cristiano Ronaldo nuk do të jenë në finalen e Ligës së Kampionëve. Barcelona e yllit argjentinas kapitulloi në duart e Liverpool-it, të martën, duke e humbur gjysmëfinalen e kthimit 4-0 në “Anfield”, për t’u eliminuar me rezultatin total 4-3. Ky rezultat i dha fund dominimit të këtij dueti yjesh, kur bëhet fjalë për garën më madhore të klubeve në Europë.

Që nga viti 2013, njëri mes Ronaldos dhe Messit ka qenë pjesë e pesë finaleve të njëpasnjëshme të Champions-it, me të parin që fitoi tre tituj radhazi dhe katër në total. Këtë sezon, Ronaldo, i cili u largua nga Real Madridi verën e vitit të kaluar, e pa Juventusin e tij të rrëzohet në çerekfinale, në duart e Ajax. Edhe Messi nuk ishte në gjendje ta ruante ritmin deri në finale, të mos e bëjë dot të vetin trofeun më të rëndësishëm, që mungon te Barcelona prej vitit 2015.

Në fakt, disfata e mbrëmshme nuk erdhi për mungesë përpjekjesh nga argjentinasi. Messi ishte forca e vetme krijuese për gjigantët katalanas në “Anfield”. Ashtu si portugezi, Messi është “mbërthyer” te katër kurora kontinentale, duke e fituar së fundi Champions-in në vitin 2015. Ronaldo dhe argjentinasi e kanë fituar nga pesë herë “Topin e Artë”, për një periudhë 10-vjeçare, që njohu fundin vitin e kaluar nga Luka Modric.

Finalja e fundit pas Messin dhe Ronaldon është luajtur mes dy skuadrash gjermane, kur Bayern Munich mposhti Borussia Dortmundin e drejtuar nga trajneri aktual i Liverpool, Jurgen Klopp, në një përplasje të luajtur në “Wembley”.