FIBA nuk i ndal donacionet ndaj FBK-së edhe në kohë koronavirusi

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) së fundi është njoftuar zyrtarisht nga FIBA se, kjo e fundit ka vendosur t’ia jep FBK-së në formë donacioni pajisje sportive për lojën 3×3 duke përshirë këtu terrenin e lojës 3×3 dhe semaforin për lojën 3×3.

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku për faqen zyrtare të FBK-së ka thënë se ky është një lajm i mirë në këto ditë të vështira të cilat jemi duke i përjetuar të gjithë me rastin e përhapjes së pandemisë COVID – 19 në Kosovë e më gjerë.
“Së fundi jemi njoftuar zyrtarisht nga FIBA se kjo e fundit ka vendosur të na dhurojë donacion një terren 3×3, semaforin 3×3 dhe topat 3×3.

Kjo ndihmë vjen si rezultat i takimit që Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe unë e kemi pasur me Sekretarin e Përgjithshëm të FIBA-s, Andreas Zagklis dhe Drejtorin për Zhvillim, Zoran Radovic në fund të nëntorit të vitit të kaluar në Gjenevë.

Në këtë takim, kryetari i FBK-së ka kërkuar nga Zagklis ndihmë në ndërtimin e konceptit të basketbollit 3×3 në Kosovë dhe masovizimin e lojës 3×3 ndër djem dhe vajza të reja, duke përfshirë këtu edhe ndihmën në terrene sportive.

FIBA ashtu siç na ka premtuar edhe e ka realizuar premtimin e saj, ndërsa ne tashmë mbetet që pas rikthimit në normalitet që shpresoj se do të ndodh sa më shpejtë, të fillojmë të punojmë intensivisht në ndërtimin e strategjisë për lojën 3×3 në vendin tonë dhe të masovizojmë këtë lojë.

Kjo nuk është ndihma e fundit që FIBA do ta bëjë ndaj nesh, pasi që në takimin në Gjenevë ne jemi dakorduar që bashkërisht të punojmë edhe në zhvillimin e Mini-Basketbollit në Kosovë, në ndërtimin e programit për edukimin e trajnerëve, në ngritjen e cilësisë së basketbollit femëror (edhe në lidership) dhe në qeverisjen në klubet kosovare, si dhe në strategjinë e FBK-së 2021-2024.

Ne besojmë që të gjitha këto ndihma do të materializohen gjatë këtij viti dhe do të fillojmë me implementimin e programeve të lartëpërmendura, ndërsa gjithashtu pritet ta kemi për vizitë zyrtare në Kosovë edhe njeriun kryesor në FIBA, pra Sekretarin e Përgjithshëm, Andreas Zagklis”.