FFK sqaron 500 mijë eurot e Qeverisë së Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës ka sqaruar premion e dhënë nga Qeveria e Kosovës, e cila nuk u përmend në Raportin Financiar të pasqyruar dje në Kuvendin e Punës së FFK-së.
Instituconi që qeverisë me futbollin në vendin tonë, ka bërë të ditur se premia prej 500 mijë eurosh është alokuar gjatë këtij viti.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se lajmi që po qarkullon në disa portale se në Raportin Financiar, i cili u miratua sot në Kuvendin e Punës së FFK-së, nuk figurojnë 500 mijë eurot e premtuara nga kryeparlamentari Kadri Veseli dhe të ndara nga Qeveria e Kosovës është i pavërtetë”, thuhet në njoftimin e FFK-s, raporton Gazeta Olle.
“FFK bën me dije se Raporti Financiar i miratuar sot është për vitin 2018, derisa mjetet e ndara nga institucionet shtetërore si formë motivimi për suksesin e arritur në Ligën e Kombeve për Kombëtaren e Kosovës janë alokuar nga Qeveria gjatë këtij viti dhe janë të vendosura në pasqyrat e Raportit Financiar për vitin 2019. FFK-ja u është mirënjohëse krerëve të shtetit dhe të gjitha institucioneve që vazhdimisht e kanë mbështetur në projektet e saj madhore dhe është e bindur se përkrahja e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet tutje në njoftim.