FFK-ja paralajmëron klubet

As në këtë edicion, në futbollin e Kosovës nuk munguan incidentet. Nuk munguan sulmet në gjyqtarë, e ndërprerjet e ndeshjeve. Ngjarja e fundit ku u sulmua gjyqtari dhe u ndërpre loja para kohe, ishte në stadiumin ‘Adem Jashari’ me ç’rast u ndërpre derbi Trepça – Trepça ’89. Federata e Futbollit të Kosovës paralajmëron masa të rrepta.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, thotë se dënimet do të jenë të ashpra. “Dënimet do të jenë secilën herë më të ashpra. Më e keqja që po na përsëritet është fakti se ekipet që janë në fund të tabelës, vazhdimisht gjejnë arsye që të akuzojnë gjyqtarët apo vëzhguesit. I apelojë që të jenë sa më vigjilente dhe mos të flasin çka t’u vijë në gojë. Me dhunë nuk mund të fitohet asnjë ndeshje”, ka thënë Eroll Salihu për emisionin ‘Sports Show’ në Klan Kosova.