Federatat në borxhe, Ibër Alaj hesht

Zyrtarët e federatave të sporteve të ndryshme ankohen Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS) po vonohet me alokimin e mjeteve financiare.Në Departamentin e Sportit thonë që përgjigjen duhet marrë në MKRS, ndërsa ata deklarojnë se gjithçka shkon sipas procedurave.

Përkundër insistimit të Insportit për të marrë përgjigje më konkrete, zyrtarët e MKRS-së kanë heshtur.

Probleme të kësaj natyre kanë pothuaj të gjitha Federatat.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) i ka marrë të hollat e TM 2 (tremujorit të dytë), ndërsa është në pritje të atyre të TM 3.Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ka thënë se procedura rreth natyrës së ndarjes së buxhetit për federatat është mjaft e komplikuar, por shpreson që, së paku, të hollat që FBK-së duhet t’i ndahen për vitin 2018 të alokohen brenda këtij viti.

auto_23shs1521814814

“Edhe ne si Federatë jemi mbrapa sa i përket ndarjes së të hollave nga Ministria. Ne i  kemi marrë të hollat për TM 2, por tashmë kemi hyrë në TM 4, që do të thotë se duhej t’i kishim marrë edhe ato për tremujorin e tretë. Në fakt, tremujori i dytë dhe i tretë janë më të ngarkuarit për ne, sepse gjatë kësaj kohe kemi aktivitetet me gjashtë Përfaqësuese (mosha dhe konkurrenca të ndryshme), ndërsa e kemi shumë më lehtë të funksionojmë në tremujorin e parë dhe të katërt”, ka thënë Fetahu për Insporti.com.

Numri një i FBK-së shpreson që shumë shpejt të përfundohet edhe tremujori i tretë.

“MKRS është shumë kërkuese dhe besoni apo jo që ne kemi dokumentacion prej 1000 faqesh për të arsyetuar çdo kontratë dhe çdo centë të shpenzuar. Megjithatë, nuk e kemi problem, sepse jemi absolutisht transparentë, madje 2/3 e buxhetit ne e sigurojmë vetë. Sidoqoftë, shpresojmë që brenda pak ditësh të përmbyllet edhe tremujori i tretë, ndërsa edhe i katërti të përfundojë brenda vitit 2018.

arbenfetahu

Shumë më keq qëndron puna te Federata e Auto Sportit e Kosovës, e cila nuk i ka marrë të hollat as për tremujorin e parë të këtij viti.Sekretari i FASK-ut, Valton Tytyngjiu, për Insportin ka treguar se Federata është në pritje të zgjidhjes së këtij problemi.

“Sivjet nuk kemi marrë të holla për asnjë tremujor. Në fakt, FASK sivjet i ka marrë të hollat e TM 4 të vitit të kaluar, ndërsa MKRS si projekt të veçantë e ka financuar garën ndërkombëtare ‘Kulla 2018’. Sa i përket buxhetit të vitit 2018, ne ende nuk kemi marrë asgjë”, ka thënë Tytyngjiu.

Ndërsa, Sekretari Teknik i Federatës së Boksit të Kosovës (FBoxK), Latif Demolli, ka treguar se te kjo Federatë puna është pak më mirë.

“Ne i kemi marrë të hollat për TM 2 dhe TM 3, ndërsa jemi në pritje të TM 3”, ka thënë Demolli për Insportin. Ai ka theksuar se pikërisht kjo periudhë e vitit është më e rëndësishmja për FBoxK, prandaj shpreson që MKRS të reagojë sa më shpejt të jetë e mundur. “Muajt tetor dhe nëntor për ne janë më të rëndësishmit. Gjatë kësaj kohe marrim pjesë në Kampionatin Evropian, Kampionatin Botëror, e kemi turneun ndërkombëtar ‘Adem Jashari’, pra edhe në aspektin financiar jemi më të ngarkuar. Shpresojmë që TM  3 të kryhet sa më parë”, ka shtuar Demolli.

Edhe Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) është e barabartë me FBoxK-në. Sekretari i Përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci, ka treguar se kjo Federatë është në pritje të TM 3.“Ne e kemi mbyllur TM 2 dhe jemi në pritje të TM 3. Normalisht që ka vonesa, sepse janë disa procedura. Të hollat e TM 3 ne i kemi shpenzuar më herët, sepse kemi pasur aktivitete me Përfaqësueset U 18 dhe U 20. Tani jemi duke e kompletuar dokumentacionin për TM 3 dhe besojmë që gjithçka do të zgjidhet shpejt”, ka thënë Gjinovci.

hendbollkosova