Fakiç i bindur në suksesin e Feronikelit dhe Prishtinës në Evropë, paralajmëron “goditje” të Skënderbeut në Kosovë

Skënderbeu ka qenë padiskutim flamuri i futbollit shqiptar në Evropë në vitet e fundit, duke bërë paraqitje pozitive në kualifikimet për Ligën e Kampionëve dhe Ligës së Evropës.

Arritja kulmore ishte pjesëmarrja në fazën e grupeve në Ligën e Evropës për edicionin 2017/18.

Merita të mëdha kishin futbollistët nga Kosova, por edhe ai që shumicën prej tyre i mori në Korçë, drejtori sportiv i klubit, Haris Fakiç.

Në një intervistë për gazetën, Fakiç ka komentuar pjesëmarrjen e skuadrave kosovare në Evropë, duke thënë fjalë pozitive për Feronikelin e Prishtinën.

Ai është i bindur që kualiteti nuk mungon, por duhet kohë dhe eksperiencë në Evropë, duke përmendur mes rreshtave edhe presionin që rëndon shumë mbi shpatullat e klubeve tona.

“Skuadrave tona (kosovare) iu mungon eksperienca. Ndoshta kundërshtarët janë të dobët, por duhet ta dijmë që këto skuadra marrin pjesë prej vitesh në Evropë dhe ky është i vetmi avantazh ndaj ekipeve kosovare”, deklaroi Fakiç për Gazetën Olle.

Harisi ishte i bindur që Feronikeli do ta kalonte fazën para-kualifikuese. Bindje të njëjtë ka edhe për Prishtinën.

“Vështirësia për kalimin e tyre është sepse këta kundërshtarë nuk kanë çfarë të humbin dhe nuk futen në ndeshje si favoritë, ndërsa për Feronikelin dhe Prishtinën do të ishte dështim nëse nuk i mposhtin”, pohoi Fakiç.

“Kësisoj rritet presioni dhe kërkohet arritja e objektivit. Kam qenë i bindur që Feronikeli e kalon këtë fazë dhe jam i bindur që edhe Prishtina do ta kalojë sepse kualiteti është në anën tonë”.

“Edhe pse opinioni kosovar pret fitore të bindshme, për klubet me rëndësi është arritja e objektivit dhe rezultati në fund. Mendoj që në ndeshjet e ardhshme kur të luajnë me kundërshtarë më të fortë, atëherë do të luajnë edhe më mirë”, shtoi ai.

Fakiç flet për rrugën e Skënderbeut me futbollistë nga Kosova drejt Evropës, duke theksuar që në Kosovë ka kualitet, por duhet kohë për suksese në garat ndërkombëtare.

“Skendërbeu ka pasur shumë futbollistë nga Kosova, që jo rastësisht kanë qenë pjesë e jona”.

“Shumë emra nga Kosova si Bernard Berisha, Liridon Latifi, Agim Zeka, Fidan Aliti, Enis Gavazaj e Suad Sahiti janë shitur në Evropë”.

“Të gjithë janë prodhim i futbollit kosovar, andaj jam i bindur që kualiteti nuk mungon por duhet më shumë kohë dhe eksperiencë në garat ndërkombëtare”, u shpreh Fakiç.

I pyetur për afatin kalimtar të Skënderbeut dhe “peshkimin” në Kosovë, Fakic deklaroi që vendimi i KAS-it po e mban pezull merkaton e klubit korçar.

“Siç e dini jemi në pritje të vendimit përfundimtar të KAS-it dhe cdo veprim do të bëhet pas tij. Sigurisht që rreth transferimeve kemi objektiva edhe në Kosovë, por nuk kisha dashur të tregojë emra në këtë kohë. Ne do të vazhdojmë t’iu besojmë futbollistëve nga Kosova”.

Në lidhje me vendimin e KAS-it, Fakiç pret vendim pozitiv dhe rikthim të fuqishëm të klubit.

“Shpresojmë te drejtësia, sigurisht që presim vendim pozitiv. Do të kthehemi më të fortë pasi kaluam një periudhë të shëmtuar me shumë spekulime, por ajo që nuk të vret, të bën më të fortë”, përfundoi ai. /Gazeta Olle/