Fetahaj: Liria mbijeton me Celinën

KF Liria, pas rezultateve të dobëta javë më parë, e largoi trajnerin italian Vincenzo Alberto Annese, kurse atë e zëvendësoi me trajnerin e dëshmuar në futbollin e Kosovës, Erdogan Cilina.

Kjo lëvizje e drejtuesve të klubit doli të jetë e qëlluar, pasi Celina në dy ndeshjet me Lirinë ka arritur katër pikë. Lojtari kryesor dhe kapiteni i skuadrës nga Prizreni, Liridon Fetahaj, ka shprehur mendimin se pikërisht trajneri në fjalë do të jetë çelësi i mbijetesës në IPKO Superligë.

“Ardhja e trajnerit Celina ka sjellë një frymë dhe energji të re në klub. Me të kam punuar edhe më herët dhe mund të them se ka një përvojë të madhe dhe të gjithë lojtarët e respektojmë shumë, kurse personalisht kam mësuar shumë nga trajneri Celina”.

“Paraqitjet pozitive në dy ndeshjet e fundit kanë qenë si pasojë e asaj se lojtarët u janë përgjigjur në përpikëri kërkesave të trajnerit. Liria ka kualitet për ta siguruar mbijetesën qoftë edhe nëpërmjet barazhit, kurse Celina do të jetë çelësi ynë për të arritur këtë synim”, ka thënë Fetahaj për “Epokën e re”.

Ndeshjen e parë Liria me trajnerin Erdogan Cilina e fitoi si mysafire ndaj Trepçës ’89, me rezultat 1-2, kurse në ndeshjen e dytë si vendëse barazoi me Drenicën (1-1). Ndeshjen e radhës Liria e zhvillon ndaj Dritës së Gjilanit, ndërsa lidhur me këtë ndeshje futbollisti Fetahaj është i bindur se prizrenasit do të rikthehen nga Gjilani me rezultat pozitiv.

“Para vetes e kemi edhe një tjetër ndeshje të vështirë ndaj kampiones aktuale të elitës, Dritës. E respektojmë këtë skuadër në maksimum, por shkojmë për rezultat pozitiv dhe besoj se mund t’ia arrijmë qëllimit”, ka shtuar Fetahaj.

Aktualisht skuadra e Lirisë, që është ndër klubet me traditë në futbollin e Kosovës, renditet në pozitën e dhjetë me 24 pikë, katër pikë më pak se skuadra e Ballkanit që pozicionohet e nënta.