Feronikeli me një ‘armë’ më shumë

Feronikelit do t’i shtohet edhe një ‘armë’ më shumë në javët e ardhshme në kampionat. Bëhet fjalë për mesfushorin sulmues Elhami Berisha, i cili është afër rikthimit pas një lëndimi që e mbajti me muaj jashtë fushës. “Jam duke u përgatitur dhe gjithçka është duke shkuar shumë mirë. Besoj që pas dy apo tri javësh do të jem në fushë. Do të rikthehem në mënyrën më të mire, me gol”, tha fillimisht Berisha për ‘Gazetën Olle’.

Ai është i kënqur me paraqitjen e skuadrën në ndeshjen me Kosovën e Vushtrrisë. “Mendoj që në ndeshjen e parë treguam që do të jemi kundërshtar i vështirë. Ende është herët të flitet për titull, por ne synojmë që të vazhdojmë në këtë mënyrë dhe të vazhdojmë me këtë seri të rezultateve”, pohoi Berisha.

Berisha që e ka shijuar titullin me Prishtinën, thotë se skuadra duhet të jap gjithçka nga vetja për të arritur këtë trofe. “Të fitosh titullin duhet sakrificë dhe angazhim në çdo ndeshje. Vetëm fitorja duhet të jetë opsion për skuadrën”.