Feronikeli fitoi Kupën e Kosovës, ky është urimi i Agim Ademit

​Klubi i Feronikelit, ka arritur ta mposhtë skuadrën e Trepçës 89, në finalen e Kupës të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ndërkaq nuk ka vonuar shumë dhe ka ardhur urimi i presidentit të Federatës së Kosovës.

Ja urimi i plotë:

Të nderuar drejtues të KF “Feronikeli”,

Të nderuar futbollistë, trajnerë e staf administrativ i klubit,

Të nderuar tifozë,

Më lejoni që në emrin tim dhe të KE të FFK-së t’ju përgëzoj për fitoren e sotme të merituar në finalen e Digitalb Kupës së Kosovës.

Kurorëzimi juaj me trofeun e dytë në këtë edicion dëshmon punën e palodhshme, përkushtimin dhe investimin serioz që keni bërë si klub.

Paraqitjet e juaja gjatë tërë këtij edicioni, por edhe loja e sotme në finale kanë bërë që të gëzoni simpati të gjerë tek opinioni futbolldashës, me çka konfirmuat se me meritë e keni shijuar gëzimin e trofeve të këtij edicioni, njëherësh duke vendosur rekord në futbollin tonë – me fitimin për herë të dytë të kurorës së dyfishtë.

Me këtë rast, dua që t’ju uroj rrugëtim të mbarë në paraqitjen tuaj të parë në parakualifikueset e Ligës së Kampionëve, që sivjet do të zhvillohen në vendin tonë. Jam i bindur që përkrahja e tifozëve do të jetë madhështore dhe suksesi juaj nuk do të mungojë.

Mbarësi dhe suksese të mëtutjeshme!

Me respekt,

Agim Ademi, president i FFK-së