Federer eliminohet nga ‘i panjohuri’ në Australi

Roger Federer ka dorëzuar sot titullin e Grand Slam të Australian Open, pasi është mundur 3-1 (6-7, 7-6, 7-5, 7-6) nga greku Stefanos Tsitsipas në takimin e raundit të katërt, ndeshje që zgjati 3 orë e 50 minuta.

Një betejë mes legjendës Federer dhe 20-vjeçarit grek, që arrin të kualifikohet për herë të parë në çerekfinalet e grand slam që po zhvillohet në Melburn.

Një ndeshje spektakolare në të katërta setet, ku tenistët dhuruan emocione e ku rivaliteti ishte në kulmin e tij, transmeton Gazeta Olle.

Edhe pse Federer fitoi në “tie break” setin e parë, nuk arriti të ruante të njëjtin ritëm deri në fund.

Pikët shtesë e tradhtuan zviceranin në tri setet e tjera, ku Tsitsipas u tregua më i saktë, i qetë dhe në fund arriti të sigurojë një biletë për më tej. Kjo ishte humbja e parë e Federer në këtë turne pas 3 vitesh, pasi zvicerani ka triumfuar në Melburn në dy edicionet e fundit. Gjithsesi, pas kësaj humbje ai rrezikon të dorëzojë edhe vendin e tretë në klasifikimin e përgjithshëm, shkruan Telesport.

Pa probleme ka fituar sot tenisti spanjoll Rafael Nadal, numri 2 në botë, që mundi 3-0 (6-0, 6-1, 7-6) ndaj çekut Tomas Berdych. Nga ky i fundit pritej më shumë në këtë sfidë, por ai u “zgjua” vonë, në setin e tretë. Nadal nuk toleroi dhe falë një shërbimi të fortë triumfoi në “tie break” në këtë set, duke avancuar në çerekfinale.