Federata çeke del me njoftim zyrtar lidhur me 8 të arrestuarit e dronit

Policia e Kosovës arrestoi mbrëmë tetë tifozë çekë, të cilët kishin planifikuar ngritjen e një droni mbi stadiumin “Fadil Vokrri” me mbishkrimin “Kosova është Serbi”

Policia gjithashtu kishte gjetur edhe mjete piroteknike dhe thika tek një tifoz.

“Ne mund të konfirmojmë që një grup prej tetë tifozësh çekë janë arrestuar nga policia afër Prishtinës, gjashtë burra e dy gra. Ky grup po mbante një dron, një flamur serb dhe një baner ‘Kosova është Serbi’. Në të njëjtën kohë mjete piroteknike dhe thika”, tha zyrtari i Federatës së Futbollit të Republikës Çeke, Michal Jurman.

“Federata dhe ekipi i futbollit çek dëshiron të qartësojë se ne refuzojmë një sjellje të tillë të tifozëve që e lidh politikën me sport. Situata momentalisht është duke u kontrolluar nga policia e Kosovës, policia çeke dhe ambasada çeke”, shtoi ai.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës konfirmoi se “janë konfiskuar përkohësisht dokumentet e udhëtimit si dhe të gjitha pajisjet e gjetura tek ta (tifozët çekë) dhe të njëjtit të lirohen në procedurë të rregullt“.