Federata angazhohet me të gjitha forcat për Përfaqësueset e reja të Kosovës

Pas përfundimit të garave vendore në të gjitha ligat e Kosovës dhe në të dyja konkurrencat, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) tani gjithë fokusin e saj e ka vendosur në Përfaqësueset e Reja dhe në Përfaqësuesen A të Kosovës, të cilat gjatë kësaj vere do të marrin pjesë në gara zyrtare të FIBA-s.

Përfaqësuesja U-18 (meshkujt) e udhëhequr nga përzgjedhësi Dritëro Sefaja dhe ndihmësi i tij Petrit Zeqiri në javën e kaluar kanë filluar me përgatitjet intensive për Kampionatin Evropian, Divizioni C që do të mbahet në Nicosia të Qipros prej 4 deri më 9 korrik. Aktualisht trajneri Sefaja në grumbullim i ka 18 basketbollistë dhe deri në javën e fundit të këtij muaji do të vendos për 12-shen me të cilën do të udhëtoj për në Nicosia. Në ndërkohë Përfaqësuesja U-18 do të luaj dy ndeshje miqësore me Shqipërinë. Kosova në këtë Evropian do të bëjë gara në Grupin B së bashku me San Marinon, Gjibraltarin, Moldavinë dhe Maltën. Vitin e kaluar Kosova U-18 e pati fituar medaljen e bronztë në Kampionatin e luajtur në San Marino.

Përfaqësuesja U-18 (femrat) sivjet ka më shumë përvojë se sa vitin e kaluar kur për herë të parë u pati paraqitur në gara zyrtare të FIBA-s. Kosova U-18 sivjet udhëhiqet nga përzgjedhësi Fidan Shatri dhe ndihmësi i tij Afrim Selimi, ndërsa aktualisht në përbërje trajnerët i kanë 13 basketbolliste, të cilave pritet t’ju prijë lojtarja me përvojë ndërkombëtare, Adea Kastrati nga Suedia. Shatri sivjet do të llogaris edhe në dy lojtare nga jashtë vendi, Nora Sulejmani nga Zvicra dhe Besjana Shala nga Suedia. Me këtë treshe dhe me basketbollistet tjera që janë në përbërje, Kosova U-18 pritet që në Kampionatin Evropian U-18, Divizioni C, që do të mbahet në Malta prej 4 deri më 9 korrik të arrijë rezultate sa më të mira. Kosova do të bëj gara në Grupin A së bashku me Maltën, Armeninë, Qipron dhe Gjibraltarin. Përfaqësuesja U-18 aktualisht është në përgatitje intensive deri më 3 korrik, kur edhe do të udhëtoj për në Valetta të Maltës.

Ndërkaq pas këtyre dy Përfaqësueseve radhën do ta ketë Përfaqësuesja U-20, e cila do të bëjë gara në Kampionatin Evropian U-20, Divizioni B, që do të mbahet në Oradea të Rumanisë prej 14 deri më 23 korrik. Kosova është në Grupin D së bashku me Irlandën, Hungarinë, Kroacinë, Portugalinë dhe Moldavinë. Përfaqësuesja U-20 udhëhiqet nga trajneri i mirënjohur kosovar, Jeton Nixha dhe ndihmësi i tij, Elvedin Plakiq. Kosova është duke zhvilluar përgatitje të përbashkëta që nga fillimi i muajit qershor, ndërsa trajneri Nixha ende në përbërje i ka më shumë se 12 lojtarë, të cilët pritet t’i testojë deri pak ditë para nisjes për në Rumani. Përfaqësuesja U-20 pritet të zhvillojë ndeshje miqësore me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Përfaqësuesja U-16 (femrat) e udhëhequr nga ish-basketbollisti i mirënjohur shqiptar, Muhammed Thaqi dhe ndihmësja e tij, Kimete Haliti, do të bëjë gara në Kampionatin Evropian U-16, Divizioni C në Gjibraltar prej 25 deri më 30 korrik. Kjo skuadër përbëhet nga lojtare të reja dhe me të ardhme të ndritur, ndërsa trajneri Thaqi dhe ndihmësja e tij Haliti janë duke e bërë një punë shumë të mirë me këtë gjeneratë, në të cilën llogaritë shumë Federata e Basketbollit e Kosovës në të ardhmen. Kosova do të bëjë gara në Grupin A së bashku me Gjeorgjinë dhe Maltën.

basketboll zi

Me Përfaqësuesen U-16 (meshkujt) që në muajin gusht do të marr pjesë në Kampionatin Evropian U-16, Divizioni B, FBK do të përmbyll ciklin garues të Përfaqësueseve të Reja. Kosova U-16 do të bëjë gara prej 10 deri më 19 gusht në Sofje të Bullgarisë në Grupin D së bashku me Gjeorgjinë, Britaninë e Madhe, Luksemburgun, Maqedoninë dhe Bullgarinë. Kjo Përfaqësuese udhëhiqet nga trajneri me përvojë të madhe në basketbollin kosovar, Ibrahim Karabeg dhe ndihmësi i tij, ish-basketbollisti, Lorik Kllokoqi. Kjo Përfaqësuese në ndërkohë pritet të luaj ndeshje miqësore me Maqedoninë.

baskett

Krahas këtyre 5 Përfaqësueseve të Reja, Kosova sivjet do të bëjë gara edhe me Përfaqësuesen A të Kosovës në parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” që do të zhvillohen prej 2 deri më 19 gusht.

Ndërkaq përveç këtyre aktiviteteve, gjatë verës, më saktësisht prej 2 deri më 8 korrik, FBK do t’i dërgoj 2 basketbolliste nën 15 vjeç, Arbë Hashani dhe Astera Tuhina, një trajnere, Arbnore Perqukun, dhe 1 gjyqtare, Anjesa Haziraj në Kampin në Postojna të Sllovenisë, që organizohet nga FIBA Evropa dhe nga Federata e Basketbollit e Sllovenisë. Ky kamp vlerësohet si një ndër eventet më të rëndësishme të FIBA Evropës për zhvillim të basketbollit femëror.

kosovabasket