Fazliu: Stromsgodsetin e mposhtim 2:0

Asgjë nuk ka përfunduar ende sipas sulmuesit të të kuqve Astrit Fazlliu. Autori i golit të vetëm të Partizanit në ndeshjen e parë ka dhënë këtë prononcim për mediat para takimit të kthimit ndaj norvegjezëve:

“Atmosfera është shumë e mirë dhe që nga momenti që jemi kthyer nga Norvegjia jemi përqëndruar për ndeshjen e së enjtes. Shpresojmë që të kualifikohemi dhe të vazhdojmë përpara në këtë kompeticion. Nuk është diçka e pa arritshme, pasi një rezultat 2-0 në favorin tonë, kalojmë në turin tjetër. Këtë rezulat do të synojmë që ta marrim në ndeshjen e radhës ndaj Stromsgodset.

Në Shqipëri klima është më e nxehtë dhe mendoj se një gjë e tillë do të ndikojë te rivalët. Ndeshjet në fushën e tyre i luajnë në bar sintetik dhe në një fushë me bar natyral do të kenë vështirësi. Duhet të shënojmë sa më shpejt që loja në vazhdim të jetë në favorin tonë.

E pres me padurim këtë takim dhe sinqerisht shpresoj që të shënoj. Por edhe nëse nuk arrij të shënoj unë, një gjë të tillë duhet ta bëjë dikush tjetër, kryesorja është kualifikimi në turin tjetër. Për momentin mendoj që është ndeshja më e rëndësishme e karrierës. Kam biseduar me drejtuesit dhe kam vendosur që edhe sezonin e ardhshëm të jem pjesë e Partizanit”.