Favoritët për titull, shikoni vlerësimet e Gani Sejdiut për klubet e Superligës

Trajneri i njohur i futbollit kosovar, Gani Sejdiu, e ka vështirë të parashikojë kush do ta fitojë titullin e kampionit të Kosovës në këtë edicion.

Afati kalimtar i janarit e ka bërë edhe më të paqartë këtë dilemë, pasi shumica e skuadrave kanë bërë përforcime me lojtarë cilësorë, gjë që e bën kampionatin edhe më konkurrues.

“Klubet e Vala Superligës kanë qenë shumë aktive gjatë afatit kalimtar. Në kampionatin tonë janë angazhuar futbollistë cilësorë edhe nga vendet tjera, prandaj kampionati do të jetë shumë konkurrues”, ka thënë Sejdiu për Insporti.com.

Tekniku mitrovicas vlerëson se lufta për titull do të zhvillohet në mes të shtatë skuadrave të para në tabelë. “Të gjithë pretenduesit për titull vetëm sa e kanë pasuruar fondin e lojtarëve, prandaj që nga pozita e parë (Llapi) e deri te e shtata (Trepça ’89) do të luftojnë deri në fund për titull”, ka theksuar Sejdiu.

Ish-trajneri i Trepçës ’89 e Feronikelit është befasuar për të mirë me Vëllaznimin, Besën e Flamurtarit, të cilat edhe përkundër situatës së vështirë në të cilën u gjendën, gjetën forcë për t’u organizuar më mirë dhe transferuar disa lojtarë cilësorë.

Sejdiu po ashtu ka lëvduar punën e drejtorit sportiv të Drenicës, Tahir Lushtaku, për të cilin thekson se që në fillim e ka marrë detyrën me shumë përgjegjësi.