Familja e bllokuar në Itali, futbolisti kosovar i shqetësuar për situatën e krijuar

Bjellorusia është një nga të pakta vende që ende nuk e ka pezulluar futbollin, ndonëse situata nuk është shumë e mirë.

Në këtë shtet aktivizohet për Shakhtjor Soligors edhe sulmuesi shqiptar, Azdren Llullaku, i cili ashtu si shumë të tjerë, nuk është i qetë për këtë situatë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Llullaku tregon se pavarësisht të prekurve që janë konfirmuar kampionati ende vazhdon të luhet, madje me tifozë.

Gjithashtu futbollisti tregon se familja e tij jeton në Itali dhe gjithë kohën është i merakosur për ta.

Azdren si jeni dhe si është situata e Koronavirusit në qytetin ku po jetoni?

Unë jam mirë. Këtu kampionati nuk është ndalur. Mendoj se jemi i vetmi shtet i cili vijon që t’i luajë ndeshjet me stadiumet e hapura për tifozët. Në fakt, këtu ka disa raste që janë deklaruar të prekur nga Koronavirus, por situata nuk është ende tragjike.

A keni dëgjuar raste të lojtarëve që janë prekur?

Po, dhe ky mendoj se është një problem. Një lojtar i një skuadre tjetër, jo në ekipin tim, ka rezultuar pozitiv. Për këtë unë nuk arrij ta kuptoj se pse nuk e kanë ndërprerë kampionatin këtu.

A ju kanë bërë testet?

Jo. Meqë është i një ekipi tjetër, nuk na kanë thënë që të bëjmë kontrolle të tilla.

A jeni i shqetësuar për këtë situatë?

Këtu ende nuk e kanë kapur me seriozitet, ashtu siç duhet.

Pse e thoni këtë, nuk ka asnjë masë?

E them sepse futbolli luhet ende me prani masive të tifozëve, shkollat vijojnë të jenë të hapura. Gjithashtu njerëzit dalin pa problem jashtë.llullaku-feston

çfarë mendoni për këtë situatë?

Nuk jam aspak dakord. E them me sinqeritet, por nuk kam çfarë të bëj…

Ju e keni një pjesë të familjes në Itali. Si janë dhe si është situata në qytetin ku jetojnë ata?

Ata jetojnë afër Trevizoa. Po atje ka shumë raste. Për këtë jam shumë i merakosur dhe i shqetësuar për familjen dhe për shokët që kam. Uroj dhe lutem që ishalla do përmirësohet situata dhe të shkojë çdo gjë sa më mirë e drejt normalitetit. Momentalisht, të gjithë familjarët e mi janë të mbyllur në shtëpi dhe fatmirësisht janë të gjithë mirë.

Në këtë situatë, ku jeni i stresuar e në merak, a ju shërben futbolli të largoni disi mendjen nga kjo situatë apo edhe kur jeni në fushë nuk e keni fokusin maksimal dhe qetësinë e duhur?

Kur unë futem në fushë, sinqerisht nuk mendoj për asgjë tjetër. Mendoj vetëm që të jap maksimumin. Kështu jam si tip. Mirëpo, normalisht, jashtë fushe mendimet janë vetëm te familja dhe ky stres sigurisht që pengon.