Etrit Berisha: Jam këtu ku jam falë këtij trajneri kosovar

Ka shumë mënyra për të nisur fluturimin. Etrit Berisha është duke koleksionuar disa prej tyre. E para ka lidhje me punën e përditshme që ai bën: është portier dhe fluturon mes shtyllave, ndërsa e dyta ka të bëjë me “fluturimin” që Atalanta e tij po bën këtë sezon.

Ekipi, në të cilin bën pjesë portieri i Kombëtares shqiptare, është duke hedhur hapa të sigurt drejt Ligës së Europës. E treta është shumë e bukur.

“Në kohën e lirë jam duke mësuar të pilotoj avionë të vegjël. Është duke më ndihmuar një pilot në Romë, por nuk e kam marrë akoma patentën. Sigurisht që do ta marr një ditë, sepse kjo është një nga ëndrrat e mia. Jam duke bërë guidë dhe avioni i vogël që po mësoj ka katër vende. Ndonjëherë bëjmë edhe ndonjë manovër akrobatike. Më emocionon fakti i të qëndruarit në ajër. Është bukur të shohësh pafundësinë… Ndihesh shumë i lirë”, tregon Berisha për “Gazzetta Dello Sport”.

Për momentin, për Etritin, qielli është sinonim i lirisë. Vite më parë sinjifikonte frikë. Nga qielli binin bombat, të cilat e detyruan të braktiste Prishtinën (qyteti i lindjes në Kosovë) për t’u transferuar në Maqedoni bashkë me nënën e tij, ndërkohë që i ati qëndroi aty për të luftuar.

“Çdo ditë vinin lajme të ndryshme për të. Ka vdekur, është mirë, është zhdukur. Ishte një periudhë frike. Pastaj një ditë na u bashkua në Maqedoni”. Lufta mbaroi dhe Berishët u rikthyen në shtëpi, ndërsa Etriti nisi të ndiqte ëndrrën e tij. “E doja shumë topin. Në fillim luaja mesfushor i majtë, por një ditë portieri u sëmur dhe trajneri më tha të luaja unë në portë. Nga ajo kohë nuk lëviza më… Isha vetëm dhjetë vjeç”.

Si përfunduat nga Kosova në Suedi?

Ishte për meritën e Albert Bunjakut, trajneri aktual i Kosovës. Më pa që luaja dhe më mori në Kalmar, ku bëra një provë dyjavore. Ajo shkoi shumë mirë.

Në vitin 2013 u transferuat te Lacio. Në Romë u bëtë i madh?

Jam i kënaqur me atë që bëra te Lacio. Do të kisha bërë më mirë nëse do të kisha më shumë besim nga të tjerët. Verën e kaluar duhet të ndryshoja patjetër, sepse kisha shumë dëshirë të isha titullar.

Pse zgjodhët Atalantën?

Fola me drejtorin Sartori dhe me trajnerin Gasperini, të cilët më dhanë besim menjëherë. Fjalët e tyre ishin shumë të rëndësishme. E dija që Atalanta është një ekip me traditë në kampionatin italian dhe më dukej zgjedhja e duhur. Gasperini tha se në portë do të ishte ai që e meritonte më shumë. Kaq më mjaftonte mua.

Sportielo e nisi kampionatin, por bëri disa gabime. Kjo nuk ia heq vlerat që ka, sepse të gjithë gabojmë. Unë e shfrytëzova mundësinë që më dha trajneri me punën e përditshme gjatë javës dhe prezencat në kampionat. Konkurrenca nuk më tremb aspak mua. Tani kam si “rival” portierin Golini, i cili është një i ri i talentuar.

Çfarë ka diçka speciale skuadra e Atalantës?

Shpirtin e grupit. Jemi të uritur dhe dëshirojmë shumë të jemi protagonistë në kampionatin italian. Kemi edhe tetë ndeshje për të arritur objektivin dhe kemi kualitetin e duhur për t’ia dalë. Varet vetëm nga ne, sepse po bëjmë historinë e klubit. Duam Europa Ligën, por nuk jemi ende të kënaqur.

Kush ishte Pixabala?

Portieri i Atalantës, i famshëm për faktin që fotoja e tij nuk gjendej asnjëherë në lojërat e albumit të futbollistëve. Në një darkë ma treguan edhe këtë histori.

Cila është ëndrra jote sportive?

Të luaj në Ligën e Kampionëve. Deri tani jam ndalur në turin paraeliminator. Një tjetër ëndërr është të luaj në një ekip të madh në Itali, ose jashtë.

I ndjeni ende shtatë golat që pësuat ndaj Interit?

Më bënë të ndihem shumë keq. Duhet shumë kohë për t’i harruar, por nuk është e lehtë. Reaguam shumë mirë në ndeshjet e ardhshme. Kur pëson shtatë gola është shumë e vështirë për t’u ringritur, por ne ia dolëm duke fituar dy ndeshje pa pësuar gol.

Cili ishte sekreti për t’u ringritur?

Karakteri ynë. Diskutuam gjatë në “chat”-in e skuadrës në “whatsapp”. Pastaj ajo ndeshje na mësoi që të jemi të gjithë të vëmendshëm. Ndoshta na u duk më e lehtë fillimisht të luanim kundër Interit sesa ndaj Napolit, të cilën e mposhtëm 2- 0.

Skuadra ka një raport special me qytetin dhe njerëzit. Ju që jeni pjesë e ekipit e ndjeni këtë gjë?

Shumë. Ky është realitet shumë i bukur dhe special. Nuk kam parë kurrë një lidhje kaq të fortë.

Shqipëria në Europian, apo Atalanta në Europa Ligë. Cila është “përralla” më e madhe?

Nuk mund të zgjedh, edhe për faktin se Atalanta duhet ta arrijë fillimisht objektivin. Do të jenë të dyja përralla të pabesueshme.

De Biazi punoi më shumë në anën psikologjike apo me taktikën?

Punoi paralelisht me të dyja. E pa dëshirën tonë dhe na bëri të besojmë se çfarë mund të arrinim. Ai kuptoi po ashtu edhe limitet që kishte ekipi, duke punuar në aspektin taktik.

Më i fortë Berisha apo Strakosha?

(qesh)… Strakosha është i zoti dhe është duke bërë shumë mirë te Lacio. Ai është e ardhmja e Kombëtares shqiptare. Kemi një raport shumë të mirë me njëri-tjetrin dhe shumë gjëra të përbashkëta.

Ju jeni i huazuar tek Atalanta. Do të qëndroni këtu?

Do të flas në të ardhmen. Do të më pëlqente shumë të qëndroja.

Ju pëlqen shumë të godisni edhe penalltitë. Sa keni shënuar në karrierë?

Pesë, në mos gaboj. Një herë në Suedi kemi fituar 1-0 falë penalltisë sime. Do të ishte bukur që të godisja edhe një me Atalantën, por Papu Gomez nuk e lëshon topin. Ai do gjithmonë të godasë penalltitë. Pastaj në Itali nuk ka shumë besim te portierët që të godasin penallti…