Eros Grezda zbulon kampionatin në të cilin mund të transferohet në verë

Mesfushori i Kombëtares, Eros Grezda pësoi një dëmtim në ndeshjen miqësore që Shqipëria humbi ndaj Norvegjisë me rezultatin 0-1. Mesa duket, mesfushori e ka lënë pas dëmtimin dhe tashmë është rikhthyer në fushën e blertë, ku pak nga pak do të arrijë formën që kishte.

Në një prononcim për “Supersport”, Grezda është shprehur se dëmtimi e ka bërë që të humbasë pak fuqi, por tashmë ndihet më mirë. Në lidhje me merkaton, ai shprehet se ka shumë zëra por asgjë konkrete, ndërsa për Kombëtaren, Grezda thotë se po punon fort që të arrijë formën maksimale.

“Dëmtimi? Kisha probleme fizike që para ndeshjes ndaj Norvegjisë po nuk e ndjeva dhimbjen gjatë ndeshjes. Pas ndeshjes kisha probleme të mëdha dhe ndodhi ajo që kisha frikë, mungova për një kohë të gjatë.

Kisha probleme me ligamentet në kavilje dhe rikuperimi shkoi 40 ditë. Isha në formë të mirë por kam humbur pak fuqitë. Do vazhdoj të luaj nga pak minuta deri sa të arrij formën që kisha para dëmtimit.

Kombëtarja për mua është e rëndësishme dhe është fat që të veshi atë fanellë. Këto ditë do të punoj më shumë që të kthehem në formë dhe të jem gati për miqësoret kundër Kosovës dhe Ukrainës.

Ndihem mirë te Osijeku dhe kam vetëm pak probleme në aspektin fizik kur bëhet fjalë që të kthehem në mbrojtje dhe trajneri e di këtë gjë, madje  më ka thënë që të luaj më shumë në sulm. Kam bërë një ndeshje të mirë dhe në fundjavë kemi një ndeshje ndaj Hajdukut. Synonim vendin e dytë ose të tretë por mirë jemi edhe në vendin e katërt pasi na intereson Europa.

Merkatoja? Mediat kroate më kanë lidhur me shumë klube dhe shtete por ka ende kohë, pasi nuk ka pasur gjë konkrete. Më intereson kampionati gjerman por javët në vazhdim do të qartësohet e ardhmja ime”, u shpreh Grezda. /Erjon Allaraj- Vipsport.al