Eroll Salihu tregon se për cilët lojtarë i kanë kërkuar leje FIFA-s

Vonesa e përgjigjes zyrtare nga FIFA, se cilët lojtarë kanë të drejtë të luajnë për Kosovën, nuk po i shkon përshtati aspak Përfaqësueses tonë.

Federata e Futbollit e Kosovës të mërkurën ia ka dërguar shkresën e tretë FIFA-s, të cilën vazhdon ta kontaktojë vazhdimisht edhe kryetari i FFK-s, Fadil Vokrri.

Sekretari i FFK-s, Eroll Salihu sqaron për “GazetaOlle.com”, mjegullën e krijuar në lidhje me lojtarët që mund të lënë kombëtaret tjera për Kosovën.

“Kryetari Vokrri edhe sot ka biseduar me zyrtarë të FIFA-s, madje ju kemi shkruar për herë të tretë dhe po presim që sa më shpejtë të na kthejnë përgjigje”, thotë Salihu për Gazeta Olle.

Ai tregon se për cilët lojtarë kanë kërkuar lejen e FIFA-s.

“I kemi tri grupe të lojtarëve për të cilët kemi kërkuar sqarim. I pari është për lojtarët që luajnë me Kombëtaret A të shteteve tjera, i dyti për lojtarët që kanë luajtur me grupmosha të shteteve tjera dhe i treti për lojtarët që kanë luajtur me kombëtare tjera dhe të cilët luajnë momentalisht për Kosovën”, shtoi ai.

Salihu thekson se FFK ka edhe planin  B për heshtjen e FIFA-s.

“Nëse nuk kthejnë përgjigje ne do të takohemi me presidentin Gianni Infantino prej 7-10 gusht”.

Salihu tha se shkresën e parë e ka dërguar para Europianit, të dytën pas Europianit dhe të tretën tani. /Olle