Erdin Hashani, avanturisti i Superligës (FOTO)

Erdin Hashani është futbollisti më special i Superligës. Qendërmbrojtësi prishtinas i ka ndërruar 11 skuadra gjatë karrierës, si askush tjetër në Kosovë. Ai thotë se i pëlqejnë gjithmonë sfidat e reja dhe se gjithnjë i zgjedh klubet që kanë tifozë më të flaktë.

Ai i kujton momentet më të mira të karrierës, golin më të veçantë, dëshirën për të luajtur në garat evropiane dhe emocionet e veshjes së fanellës së Përfaqësueses së Kosovës

Erdin Hashani mund të konsiderohet lirisht si aventuristi i Superligës. Futbollisti prishtinas i ka ndërruar klubet si “çorapet”, një nga një.

Ai e nisi karrierën në vitin 1994, ndërsa deri tash i ka ndërruar plot 11 skuadra. Besëlidhja, KEK-u, Prishtina, Besa (Kavajë), Skënderbeu (Korçë), Besëlidhja (Lezhë), Besiana, Trepça, Vëllaznimi, Drita e Hajvalia, janë fanellat e skuadrave të cilat i ka veshur qendërmbrojtësi i pakalueshëm. Madje, në disa prej tyre ka luajtur edhe nga dy herë.

Hashani e kujton për “Zërin” fëmijërinë, kur kishte nisur gjithçka me topin nëpër këmbë.

Image

“Karrierën e kam nisur në vitin 1994 tek Besëlidhja e Prishtinës. Aty i kam kaluar të gjitha grupmoshat e deri në senior. Ka qenë ekipi ku ka luajtur babai im dhe vëllai dhe mos të harrojmë se themeluesit e këtij klubi kanë qenë edhe dajtë e mi”, tregon fillimisht Hashani.

Por, çka e shtyri atë t’i ndërrojë aq shpesh klubet, si femrat. “Gjithmonë më kanë pëlqyer sfidat e reja dhe eksperiencat e reja dhe kam zgjedhur më shumë ato skuadra që kanë tifo-grupet më të mëdha në Kosovë. Sepse, të luash një ndeshje dhe të kesh tifo-grupe në stadium, është një motiv shumë i madh. Nuk ka motiv më të madh sesa përkrahja e tifozëve për një futbollist”, shpjegon Erdini për gazetën.

Image

Prej krejt klubeve, ai nuk do ta veçonte ndonjërin, pasi thotë se kaloi mirë kudo që luajti. Ai shton se ka pasur raporte fantastike, sidomos me tifozët e skuadrave ku ka luajtur, pasi ata e vlerësojnë më së miri kontributin e çdo futbollisti.

“Ata të vlerësojnë më së miri për atë që e jep për ekipin e tyre të zemrës. Prandaj, në të gjitha ekipet që kam luajtur, kam kaluar mirë, pavarësisht se disa kryesi të klubeve nuk kanë qenë korrektë me mua”, thotë Hashani, i cili s’e harron debutimin me Besëlidhjen, si 17 vjeçar.

Image

Debutimi në futbollin senior, mjaft emocionues

Erdini nuk e harron assesi debutimin në futbollin senior. “Gjithmonë në mendjen e futbollistit mbetet ndeshja e parë kur debuton me seniorët. Isha vetëm 17 vjeç, kështu që ndeshja ime e parë që ka mbetur në mendjen time është ajo kur kam debutuar me Besëlidhjen kundër Lirisë”, vijoi ai.

Trofetë e Erdinit

Erdini, gjatë karrierës i ka fituar disa trofe. Edhe pse nuk e ka fituar ende titullin e kampionit, kjo nuk do të thotë që ai nuk ka ngritur lart kupa. “E kam fituar Kupën dhe Superkupën e Kosovës me KEK-un, një Kupë me Prishtinën dhe dy finale të Kupës, një me Vëllaznimin dhe një me Hajvalinë”, shpjegon Hashani.

Image

S’e harron golin ndaj Tiranës

Secilit futbollist i mbetet në mendje ndonjë ngjarje që i ka ndodhur gjatë karrierës. E Erdini e kujton me ëndje ndeshjen me Tiranën, së cilës i kishte shënuar gol, duke u bërë hero në Lezhë.

“Ka shumë raste që më kanë ndodhur dhe që nuk do t’i harroj kurrë. Mirëpo, një prej rasteve është ndeshja Besëlidhja – Tirana, ku fituam 1:0 falë golit tim. Nuk ishte vetëm goli, por ishte kundërshtari, sepse kisha për detyrë ta ruaja lojtarin më të mirë në kampionatin shqiptar, që ishte Hyka. Dhe, në fund të ndeshjes isha lojtari më i mirë i këtij takimi”, kujton Hashani.

Gjatë karrierës, ai ka luajtur me shumë bashkëlojtarë, ndërsa prej tyre e veçon Alban Dragushën, të cilin, përpos që e kishte shok skuadre, e ka edhe shokun më të ngushtë.

Image

Alban Dragusha, shoku më i mirë

Gjatë karrierës, Erdinit i ka rënë të luajë me shumë bashkëlojtarë. Ai është mjaft i shoqërueshëm dhe ia ka kaluar shumë mirë me ta. Mirëpo, ai do ta veçonte njërin prej tyre, të cilin, përpos bashkëlojtarit, e ka edhe shok të mirë.

“E kam pasur shok skuadre, e kam pasur edhe kundërshtar dhe prapë sot e kam shok skuadre. Ai është Alban Dragusha dhe i vetmi futbollist që me të mund të kuptohemi vetëm me sy, s’ka nevojë për fjalë. Atë e kam shokun më të ngushtë. Ky është futbollisti që më së shumti mund të përshtatem me të në qendër të mbrojtjes”, tregon Hashani.

Image

Synon garat evropiane

Ndër dëshirat që i ka në karrierë Erdin Hashani është që të luajë në garat evropiane. Ai shpreson që këtë gjë ta bëjë me ekipin aktual, Hajvalia.

“Dëshirë e çdo futbollisti është të luajë në garat evropiane. Besoj se një ditë do të luaj edhe unë. Do Zoti që së pari ta kemi shëndetin dhe mos të kemi ndonjë lëndim. Me Hajvalinë për herë të parë kemi luajtur ndeshje miqësore në kuadër të UEFA-s kundër Sionit, kështu që besoj se shumë shpejt do të jemi edhe në garat evropiane”, theksoi Hashani.

Përfaqësimi i Kosovës, ndjenjë speciale

Gjatë karrierës, Hashani e pati rastin të luante edhe për Përfaqësuesen e Kosovës. Pa dyshim, ai ndihet i privilegjuar që i është dhënë një mundësi e tillë.

“Të luash për Kosovën është një nder dhe privilegj, pasi e bart emblemën e shtetit tënd. Dihet se kulmi i një futbollisti është përfaqësuesja dhe unë jam me fat që kam luajtur me Kosovën kundër Arabisë dhe e kemi fituar atë ndeshje historike, ngase, për herë të parë Kosova e kishte zhvilluar tamam një ndeshje miqësore kundër një shteti. Kam qenë pjesë e Përfaqësueses e Kosovës për plot 5 vite rregullisht, sa herë ka pasur grumbullime apo ndeshje”, nënvizoi Hashani.

Image

Ku mbeti bishtaleci i Erdinit?

Gjatë pjesës më të madhe të karrierës, ai e kishte mbajtur bishtalecin dhe, edhe për këtë njihej si një futbollist special. Por, kohëve të fundit ai e ka hequr atë…

“Po, është e vërtet, e kam pasur dhe e kam hequr, pastaj prapë e pata lëshuar, që i bie se kam lozur me bishtalec më shumë se 9 vjet. Njerëzit kur më shohin sot më pyesin se ku e kam, ngaqë janë mësuar të më shohin me të. Në fillim më ka munguar, por tani jam mësuar. Kanë qenë shumë arsye pse e kam hequr, ka qenë data, momenti, personi etj. ishte koha”, përfundoi Hashani.

Pa dyshim, ai është njëri prej futbollistëve më të disiplinuar, më korrekt dhe më stabilë të dekadës së fundit në futbollin kosovar. Erdini është shembull për të tjerët.