Enis Gavazaj prezantohet tek Dinamo (FOTO)

Enis Gavazaj është prezantuar te skuadra e tij e re. Pasi e kaloi gjysmën e këtij sezoni me Yenisei të Krasnodar, por pa luajtur dot aty, çka çoi në prishjen e kontratës me konsensus, ish-mesfushori i Skënderbeut ka zgjedhur Dinamo Minsk në Bjellorusi për ta vazhduar karrierën si futbollist.

Një kampionat, ku luan edhe shqiptari tjetër, Elis Bakaj, me mjaft sukses. Sipas asaj që njofton vetë klubi bjellorus, “mesfushori shqiptar i Skënderbeut, Enis Gavazaj, do të luajë për Dinamo Minsk në formë huazimi deri në fund të gjysmës së parë të kampionatit”.

Enis Gavazaj ka lindur më 21 mars 1995 në Prizren. Ai nisi të luajë në vendlindje me të rinjtë e Lirisë së Prizrenit dhe Prishtinës. Në nivel profesional mbrojti ngjyrat e Prishtinës (Kosovë), Gent (Belgjikë), Roeselare (Belgjikë), Skënderbeu (Shqipëri), Yenisei (Rusi).

Gavazaj u shpall kampion i Belgjikës në sezonin 2014-2015, si pjesë e FC Gent. Ai ka luajtur për kombëtaret e Shqipërisë U-19 dhe U-21. Që nga viti 2018, është pjesë e kombëtares së parë të Shqipërisë. Te Dinamo Minsk, Enis Gavazaj do të luajë me fanellën numër 11.