“Ende nuk ka përfunduar asgjë”

Sigal Prishtina bëri bujë me fitoren në FIBA Europe Cup në basketboll. Kampioni i Ligës Ballkanike dhe i Kosovës me një lojë burrërore gjunjëzoi me rezultat 75:73 ekipin nga Kazakistani, Astana.

Kjo ishte fitorja e parë dhe historike për bardhekaltrit në garat europiane, duke bërë një hap të vogël për të kaluar grupin K, ndonëse është ende herët për faktin se ka edhe katër ndeshje deri në fund. Prishtina është në grup me Astanën, Energia Rovinari nga Rumania dhe AEK Larnaca nga Qipro. Basketbollisti Dardan Berisha ka qenë protagonisti i kësaj fitore, i cili në momentet vendimtare ka qenë i papërmbajtshëm për kazakët. Ai tha se është një fitore e madhe, por asgjë nuk ka përfunduar.

Basketbollisti shpreson se në sfidat e ardhshme do të jetë një Prishtinë edhe më e fortë. Prishtina është në vend të tretë me 3 pikë sa ka edhe Astana një pozitë më lartë dhe Energia kryeson me katër pikë dhe AEK është i fundit me dy pikë pas dy xhirove të zhvilluara. Basketbollisti më i mirë në vend për gazetën kombëtare “Bota sot” tha se një ndihmë të madhe për fitore kanë edhe tifozët ‘Plisat’, që ishin fantastik.

“Mbrojtja në momente s’ka qenë e mirë sidomos një kundër një, por ndeshje pa gabime s’ka. Ende kurrgjë nuk ka përfunduar, e kemi bërë veç një hap të vogël drejt kalimit më tutje”, tha për “Bota sot” Dardan Berisha, basketbollist i Sigal Prishtinës.