Emërohet komisioni për sponzorizim në Kulturë, Rini dhe Sport

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka nënshkruar të hënën vendimin për emërimin e Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për lëshimin e vërtetimit për sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me një mandat dy vjeçar me mundësi rizgjedhjeje.

Komisioni do të përbëhet nga 5 anëtarë, Betim Jahaj, zyrtar i lartë ligjor në Departamentin Ligjor të MKRS-së, në cilësinë e kryesuesit, ndërsa katër anëtarët do të jenë: Servete Lika, zyrtare e lartë financiare në Divizionin e Financave; Kamuran Goranci, udhëheqës i Divizionit në Departamentin e Kulturës; Xhevat Bajrami, udhëheqës i Departamentit të Rinisë dhe Afërdita Fazliu, udhëheqëse e Divizionit për Federata në Departamentin e Sportit. Anëtarët e komisionit do të kompensohen financiarisht për punën e tyre për mbledhjet e mbajtura. Kryesuesi do të kompensohet me 125 euro për mbledhje, ndërsa anëtarët me nga 100 euro secili, por ky kompensim lejohet më së shumti për dy mbledhje të mbajtura gjatë muajit.

“Komisioni në punën e tij do të ketë të gjitha përgjegjësitë që të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve zyrtare dhe të sigurojë zbatimin e plotë të akteve normative që rregullojnë çështjen e sponsorizimit, Ligjin nr. 05/L-090 dhe Rregulloren nr. 01/2018 për Përcaktimin e Kritereve, Procedurave dhe Formës për Vërtetimin e Sponsorizimit në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhet n♪7 njoftimin e MKRS-së.

Në bazë të vendimit të nënshkruar nga ministri Gashi, anëtarë të rregullt në këtë Komision do të jenë përfaqësuesit nga Departamenti Ligjor respektivisht Divizioni i Financave, ndërkaq anëtarët tjerë marrin pjesë në mbledhjet e komisionit vetëm në shqyrtimin e kërkesave që bien në fushëveprimtarinë e departamenteve, konkretisht, të Kulturës, Rinisë apo Sportit.

Ministri Gashi emërimin e Komisionit e cilësoi si një realizim të një obligimi ligjor dhe u shpreh se përmes këtij Komisioni finalizohen procedurat që kanë qenë të parapara që MKRS-ja t’i realizojë.

“Me emërimin e Komisionit në fjalë, ne si ministri i kemi hapur rrugë sponosorizimit në fushat e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Tani palët e interesuara e kanë një adresë konkrete. Ky është një ndër hapat më të rëndësishëm që kemi marrë sepse vlerësimet dhe pritjet janë të mëdha. Ky akt që kemi nënshkruar sot dhe që ministria ka ndërmarrë në bashkëpunim edhe institucionet tjera të vendit, është gjëja më e mirë që ka mundur t’i ndodh fushave të cilat i ka në përgjegjësi ministria, sepse konsideroj se përmes sponsorizimit, konkretisht të orientimit të një pjese të tatimeve nga Kultura, Rinia dhe Sporti, do të rrisin aktivitet në këto fusha e po ashtu do të rritet edhe cilësia”, ka thënë ministri Gashi.