Elita e basketbollit: Edhe Lipjani dorëzohet para Rahovecit, Ylli fiton ndaj Trepçës

Rahoveci ka shënuar fitoren e radhës në Superligë, duke mundur Lipjanin me rezultat 97:76 (22:12, 22:26, 29:18, 24:20) në kuadër të xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Vreshtarët në palestrën pothuajse të mbushur e nisën më mirë ndeshjen, duke e fituar çerekun e parë 22:12, derisa mysafirët këndellen në periudhën e dytë, që e fitojnë 22:26. Perioda e tretë i takoi tërësisht vendasve, 29:18 dhe ajo e fundit përfundoi 24:20, derisa rezultati përfundimtar ishte 97:76 për Rahovecin.

Te Rahoveci u dalluan Darell Davis me 24 pikë dhe Joshua McFolley me 23, kurse te Lipjani më i miri ishte Tamas Bruce me 32 pikë e 11 kërcime.

Rahoveci ka 14 fitore dhe 5 humbje, kurse Lipjani një fitore dhe 18 humbje.

Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Trepçës me rezultat 90:83 (26:21, 26:20, 16:23, 22:19) në kuadër të javës së 21-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Ylli e nisi ndeshjen më mirë, duke e fituar çerekun e parë 26:21, derisa me lojë të mirë vazhdoi edhe në periudhën e dytë, që e fitoi 26:20, duke shkuar në pushim me rezultat 52:41. Mitrovicasit u rikthyen në periudhën e tretë, duke e fituar 16:23, por Ylli nuk e lëshoi fitoren nga duart dhe ruajti epërsinë e krijuar, duke triumfuar në fund me rezultat 90:83.

Te Golden Eagle Ylli u dalluan Devonte Brown me 19 pikë e katër kërcime, Valon Bunjaku me 18 pikë e 11 asistime dhe Samir Zekiqi me 18 pikë, kurse te Trepça më të mirët ishin Dj Hannes me 24 pikë dhe Alante Fenner me 21.

Golden Eagle Ylli tani ka 13 fitore dhe gjashtë humbje, kurse Trepça katër fitore dhe 14 humbje.