Elezaj: Futbollistët duhet testuar për të parë formën e tyre!

Skuadrat kosovare ka dy ditë që i janë rikthyer stërvitjeve në grup, të cilat iu kanë munguar në dy muajt e fundit, si shkak i përhapjesë së pandemisë së koronavirusit.

Kështu edhe skuadra lidere e Superligës gjatë ditës së djeshme ka stërvitur në stadiumin e qytetit në Suharekë, shkruan Gazeta OLLE.

Stërvitjet gjatë ditës së djeshme i ka filluar edhe skuadra e Dukagjinit të Klinës.

Për trajnerin e skuadrës klinase, Severin Elezaj, futbollistët janë përgatur mirë individualisht, por se tashmë duhet të testohet forma e tyre.

“Me stërvitje kemi filluar nga dje dhe gjendja fizike e futbollsitëve nga ajo që kanë punuar më mënyrë individuale duket stabile, por dihet në vazhdim do të fokusohemi për disa teste për të parë nga afër se si është gjendja reale e tyre”, tha fillimisht Elezaj.

“Nuk mund të jetë i kënaqur asnjë me këtë gjendje që e kemi kaluar edhe pse puna individuale e futbollistëve nuk ka munguar, por efekti i punes në grup është që kërkohet dhe ka efekt pozitiv për gjendjen e përgjithshme të futbollistëve”, përfundoj Elezaj.

Gazeta gjatë ditës për të njëjtën temë ka biseduar edhe me trajnerin e Drenicës, Gani Sejdiu.

Sejdiu tha se koha deri në ndeshjen e parë të Kupës është e pamjaftueshme për një përgatitje të minimale për futbollistët e tij.

“Forma e stërvitjeve që kanë bërë lojtarët deri më tani nuk mund t’i plotësojë as për së afërmi nevojat fizike të tyre, e sidomos kur ajo zgjatë si tani prej dy muajsh, andaj gjendja te fizike e futbollistëve nuk është e mirë jo vetëm tek ne por te çdo skuadër”, tha fillimisht Sejdiu.

“Mungesa e fushës dhe stërvitjeve me ekip vërehet, por është më e rëndësishme që lojtarët janë shumë të motivuar duke parë dëshirën e tyre të madhe për punë. Ajo çfarë më brengos është koha aspak e nevojshme për të arritur sa do pak formën fizike e sidomos për ne kur ndeshjen e parë do të luajmë me 2 qershor, pra në ekstreme kohë e pamjaftueshme dhe po e potencoj përsëri se mund të ketë probleme me lëndime si shkak i intensitetit që do ketë kjo fazë e stërvitjeve”, përfundoj Sejdiu./V.Ibishi – Gazeta OLLE

Trajneri Gani Sejdiu në debutim te Drenica. (Foto: Hlimi Veliu, Gazeta Olle)